Google ADS

Armenia kërkon qasje humanitare në Nagorno-Karabak

22:15 | 12 Korrik 2023
KRG

Armenia tha më 12 korrik se organizatave humanitare ndërkombëtare duhet t’iu lejohet qasje në rajonin e Nagorno-Karabakut, pasi Azerbajxhani ka mbyllur rrugën e vetme që mundëson lidhjen e këtij rajoni të shkëputur me Armeninë.

Nagrono-Karabakut ka qenë qendër e mospajtimeve të kamotshme territoriale mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, që kanë luftuar dy luftëra për këtë rajon malor, që kryesisht banohet nga armenët etnikë.

Të martën, Azerbajxhani njoftoi se po mbyll rrugën e vetme që lidh rajonin me Armeninë, duke akuzuar palën armene dhe Kryqin e Kuq se po e përdorin këtë rrugë për kontrabandë.

Një ditë më pas, Ministria e Jashtme e Armenisë tha se ky vendim “synon të krijojë kushte të pafavorshme për jetë për banorët e Nagorno-Karabakut”.

“Është për të ardhur keq që gjatë këtyre muajve komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat humanitare ndërkombëtare nuk kanë qenë në gjendje që të sigurojnë qasje humanitare në Nagorno-Karabak”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme armene.

Në deklaratë u tha se një qasje e tillë “është thelbësore për të parandaluar një katastrofë në Nagorno-Karabak”.

Kryqi i Kuq ka insistuar se asnjë material i paautorizuar nuk është gjetur në veturat e kësaj organizate humanitare.

Bashkimi Evropian më 12 korrik tha se “mbështesim fuqishëm rolin thelbësor të Kryqit të Kuq në rajon” dhe përsëriti thirrjet për Azerbajxhanit “që të sigurojë lëvizje të pakufizuar për njerëzit dhe mallrat përmes korridorit të Laçinit”.

Për muaj të tërë aktivistët azerbajxhanas kanë bllokuar rrugën, që sipas Jerevanit ka shkaktuar krizë humanitare.

Në shkurt, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Azerbajxhanin që të sigurojë lëvizje të lirë në këtë rrugë.

Dy ish-republikat sovjetike kanë zhvilluar dy luftëra për kontrollin e Karabakut, një në vitet ’90 dhe lufta e fundit u zhvillua më 2020.

Lufta gjashtëjavore më 2020 përfundoi pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia dhe territore që për një kohë të gjatë ishin nën kontrollin e armëve etnikë, iu dhanë nën kontroll Azerbajxhanit.

Sipas marrëveshjes, korridori i Laçinit, i gjatë pesë kilometra, duhet të mbikëqyret nga trupat paqeruajtëse ruse, në mënyrë që të ketë lëvizje të lirë mes Armenisë dhe Nagorno-Karabakut./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme