Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shfaqur së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe liderët e G7 në samitin e NATO-s të këtij viti, duke falënderuar aleancën ushtarake për mbështetjen e saj.
Dhe siç raportojnë mediat e huaja, ai e shpalli takimin kryesor “një fitore të rëndësishme” për sigurinë e vendit të tij.
Deklaratat optimiste të Zelensky erdhën pasi aleatët e NATO-s refuzuan të “angazhoheshin” për një afat kohor për pranimin e Ukrainës.
Megjithatë, u bënë hapa për të zyrtarizuar garancitë e sigurisë dhe garanci të tjera nga udhëheqësit kryesorë, përfshirë presidentin e SHBA-së, Joe Biden se “e ardhmja e Ukrainës është në NATO”.
Në një konferencë për shtyp këtë mëngjes, Zelensky konfirmoi se, megjithëse nuk është caktuar një afat kohor, NATO nuk do t’i kërkojë Ukrainës të krijojë një plan të plotë veprimi përpara se të lëshojë një ftesë anëtarësimi në të ardhmen.
Kjo mund të lehtësojë shumë rrugën e saj drejt anëtarësimit, megjithëse disa aleatë mbeten ngurrues për të pranuar Kievin.
“Dëshiroj t’ju shpreh fjalë mirënjohjeje për këtë hap të rëndësishëm”, tha Zelensky. “Edhe gjatë luftës në shkallë të plotë kundër Rusisë, Ukraina vazhdon të kryejë reforma”.
Zelensky pranoi shqetësimet e aleatëve të tjerë për përshkallëzimin e tensioneve me Rusinë, duke e quajtur këtë të justifikuar ndërsa luftimet vazhdojnë.
Ndërkohë, Stoltenberg konfirmoi se NATO ka rënë dakord të krijojë “një program shumëvjeçar ndihme” dhe të heqë kërkesën e planit të veprimit të anëtarësimit, duke riafirmuar se “Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s”.
Ai tha se marrëveshja do të ndihmojë Ukrainën të transferohet nga asetet ushtarake të epokës sovjetike për të qenë plotësisht të ndërveprueshme me aleatët e tjerë, një element thelbësor i aleancës.
Gjithashtu po krijohet një Këshill i ri NATO-Ukrainë, një organ i përhershëm ku 31 aleatët dhe Kievi mund të mbajnë konsultime dhe takime urgjente.
Këshilli është pjesë e përpjekjeve të NATO-s për ta sjellë Ukrainën sa më afër aleancës ushtarake përpara se të anëtarësohet.
Ndërkohë të martën, liderët e NATO-s thanë në komunikatën e tyre që përmbledhte përfundimet e samitit se Ukraina mund të bashkohet “kur aleatët bien dakord dhe të plotësohen kushtet”.
Në ndërkohë, anëtarët kryesorë të aleancës po planifikojnë të ratifikojnë një paketë të madhe garancish afatgjata sigurie.
Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Çështjet Evropiane, Amanda Sloat u tha gazetarëve se plani shumëpalësh, i cili do të nënshkruhet nga udhëheqësit e G7 sot, do t’i dërgojë një “sinjal të rëndësishëm” Rusisë se “koha nuk është në anën e saj”.
Korniza është krijuar për të siguruar sigurinë afatgjatë të Ukrainës. /Telegrafi/
Aksident masiv në dalje të tunelit Elbasan-Tiranë, përplasen...
Tërmeti i fortë godet Turqinë, sa ishte magnituda
Hajnat vjedhin para dhe stoli ari në një shtëpi në Zveqan
Policia gjen drogë brenda burgut të Dubravës
Të shtëna me armë zjarri në Malishevë, policia arreston tetë...
Zhduket një vajzë në Prizren