Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë udhërrëfyesin për shtensionimin e situatës veri të Kosovës.
“Ekziston një plan shumë i qartë dhe i përkushtuar për de-përshkallëzimin, një udhërrëfyes për të cilin të dyja palët punuan në fillim të këtij viti. Kjo është absolutisht jetike për të ecur përpara në një mënyrë paqësore. Dhe është e qartë se të dyja palët duhet të përmbushin atë që u ra dakord”, tha von der Leyen para fillimit të ditës së dytë të Samitit të NATO-s në Lituani.
Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Dakordimi u arrit në një takim joformal në Bratislavë ndërmjet përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbis, Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.
Qeveria e Kosovës tha se të gjitha hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.
Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.
Sa i përket takimit mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, REL merr vesh se ai do të mbahet javën e ardhshme.
Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Ndryshe, Kosova ka kërkuar vazhdimisht që të nisë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që u arrit në Bruksel më 27 shkurt.
Palët, më 18 mars në Ohër arritën edhe Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit./rel/
Aksident masiv në dalje të tunelit Elbasan-Tiranë, përplasen...
Tërmeti i fortë godet Turqinë, sa ishte magnituda
Hajnat vjedhin para dhe stoli ari në një shtëpi në Zveqan
Policia gjen drogë brenda burgut të Dubravës
Të shtëna me armë zjarri në Malishevë, policia arreston tetë...
Zhduket një vajzë në Prizren