Turqia pret ringjalljen e një grupi reformash në Bashkimin Evropian, pasi Ankaraja të miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO, tha një zyrtar i lartë turk për agjencinë e lajmeve Reuters të martën.
Turqia, me këtë lëvizje dhe kërkesë, kërkon të hyjë në një periudhë të re të lidhjeve të përmirësuara me Perëndimin.
Ankaraja pret që të fillojë të ketë progres konkret nga ana e Bashkimit Evropian për çështje të tilla si udhëtimi pa viza, si dhe mbyllja e disa kapitujve për pranimin në BE, tha zyrtari, duke shtuar se Perëndimi duhet të mbështesë Turqinë në nevojat e saj financiare.
Turqia do të zhvillojë një marrëdhënie “të arsyeshme” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pret zgjidhjen e shpejtë të disa problemeve, edhe pse të gjitha çështjet mund të mos zgjidhen, tha zyrtari.
Megjithatë, ai tha se Ankaraja nuk do t’i dëmtojë marrëdhëniet e saj me Rusinë, teksa vendi afrohet me Perëndimin.
Bisedimet e anëtarësimit të Turqisë rifilluan në vitin 2005 nën mandatin e parë të Erdoganit si kryeministër.
Përpjekja e Ankarasë për t’iu bashkuar BE-së kanë qenë të ngrira prej vitesh.
Vendet anëtare votuan për të pezulluar bisedimet për këtë çështje në vitin 2016, pasi qeveria e Erdoganit goditi ashpër kundërshtarët, pas një përpjekjeje të dështuar për një grusht-shtet në të njëjtin vit.
Blloku varet nga ndihma e aleatit të NATO-s, Ankarasë, sidomos për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, më 10 korrik është pajtuar që të mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO, edhe pse më herët gjatë ditës, ai kushtëzoi pranimin e Suedisë në këmbim të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.
Në deklaratën e lëshuar pas takimit trepalësh me NATO-n, u tha se Turqia dhe Suedia do të punojnë ngushtë “në koordinimin e kundërterrorizmit” dhe do të fuqizojnë raportet dypalëshe tregtare.
“Suedia do të mbështesë në mënyrë aktive përpjekjet për të ringjallur procesin e pranimit të Turqisë në BE, përfshirë edhe modernizimin e bashkimit doganor BE-Turqi dhe liberalizimin e vizave”, u tha në deklaratë.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mirëpritur marrëveshjen mes Ankarasë dhe Stokholmit.
Që një shtet të bëhet anëtar i NATO-s, duhet që të 32 shtetet të ratifikojnë në parlamentet e tyre protokollet e pranimit. Në rastin e Suedisë, përveç Turqisë, edhe Hungaria nuk e ka ratifikuar protokollin që Stokholmi të bëhet pjesë e aleancës.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO në maj të vitit 2022.
Finlanda u bë anëtare e aleancës në prill të vitit 2023.
Marrëveshja mes Suedisë dhe Turqisë erdhi një ditë para nisjes së samitit dyditor të NATO-s, që do të mbahet në Vilnius të Lituanisë. Ky samit pritet të dominohet nga lufta në Ukrainë dhe raportet që aleanca do të ketë në të ardhmen me Kievin.
Pavarësisht se Ukraina dëshiron që NATO të bëjë hapa drejt anëtarësimit të Kievit në aleancë, Stoltenberg ka thënë se nuk do t’i dërgohet ftesë Ukrainës për anëtarësim, për aq kohë sa vazhdon lufta me Rusinë, po ka kërkuar lehtësim të procedurave./rel/
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu