Google ADS

Samiti i NATO-s: E paqartë nëse Ukraina do të marrë garanci për anëtarësimin në aleancë

14:55 | 11 Korrik 2023
K.B

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se mbështet terminologjinë e përdorur nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, për të ardhmen e Ukrainës në aleancë.

Biden i bëri komentet në fillim të samitit të NATO-s, i cili zhvillon punimet të martën dhe të mërkurën në Vilnius të Lituanisë.

“Jemi dakord për gjuhën që ju propozuat në lidhje me të ardhmen e Ukrainës në NATO”, tha presidenti amerikan.

Nuk është e qartë se për çfarë terminologjie specifike bëhet fjalë.

Stoltenberg tha më herët se do të propozojë që procedura e anëtarësimit të Ukrainës në aleancë, të thjeshtëzohet.

Ai tha se do të kërkojë prej aleatëve që t’i mundësojnë asaj kapërcimin e të ashtuquajturit Plan i Veprimit për Anëtarësim, i cili përfshin reformat ekonomike dhe politike që një vend kandidat duhet t’i përmbushë, përpara anëtarësimit të plotë.

“Po bëhet gjithçka për ta afruar Ukrainën më pranë anëtarësimit në NATO”, tha Stoltenberg.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se do të ishte “absurde” nëse Ukrainës nuk i jepet një afat kohor.

Ukraina, e cila ndodhet nën pushtimin rus qysh më 24 shkurt të vitit të kaluar, kërkon të bëhet pjesë e NATO-s, por përderisa lufta vazhdon, e ardhmja e kësaj ambicieje nuk është e qartë.

Jozyrtarisht mësohet se në mesin e aleatëve, tash për tash, nuk ka disponim për ndonjë referencë eksplicite se kur Ukraina do ta marrë ftesën për t’u anëtarësuar në NATO.

Vendet e Evropës Lindore besojnë se Ukrainës duhet t’i ofrohet një udhërrëfyes, ndërsa të tjerat, si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, shqetësohen se premtimi për anëtarësim automatik mund t’i japë Rusisë shkas për ta përshkallëzuar dhe zgjatur luftën.

Samiti i organizatës më të madhe ushtarake në botë zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.

Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.

Udhëheqësit e NATO-s pritet të diskutojnë edhe për tema të tjera, përfshirë edhe pranimin e Suedisë në aleancë./rel

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme