Gjykata Kushtetuese bëhet me Rregullore të re të Punës

09:36 | 10 Korrik 2023
L G

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është bërë me Rregullore të re të Punës.

Ajo, më 7 korrik është publikuar në Gazetën Zyrtare, derisa do të hyjë në fuqi nga 22 korriku.

Rregullorja e Punës e Gjykatës Kushtetuese është kategori kushtetuese bazuar në nenin 115 [Organizimi i Gjykatës Kushtetuese] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Hartimi i Rregullores së re të Punës së Gjykatës Kushtetuese i është nënshtruar një procesi njëvjeçar të analizës së procedurave dhe praktikave të Gjykatës bazuar në Rregulloren paraprake të punës, por edhe analizave krahasimore lidhur me praktikat më të mira ndërkombëtare, përfshirë praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ato të gjykatave tjera kushtetuese, si dhe Opinionet dhe Raportet relevante të Komisionit të Venecias.

“Përtej diskutimeve të vazhdueshme përgjatë vitit 2022, ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores së Punës janë diskutuar dhe shqyrtuar edhe në dy (2) punëtori të përbashkëta të gjyqtarëve, anëtarëve të Njësisë Ligjore dhe menaxhmentit të lartë të Gjykatës. Gjykata ka pasur nderin që në punimet e punëtorisë së dytë, të mbajtur në muajin tetor 2022, të mirëpres edhe kontributin e gjyqtarit federal amerikan John R. Tunheim, njohës i shquar i sistemit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës, që ka marrë pjesë edhe në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe akteve fillestare themeluese të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese.

Rregullorja e re e Punës e Gjykatës Kushtetuese është e organizuar në nëntë kapituj dhe përmban tetëdhjetë dispozita materiale dhe procedurale që rregullojnë vendimmarrjen e Gjykatës, aktivitetin e saj gjyqësor, por edhe aspekte të organizimit të brendshëm administrativ. Ndër ndryshimet më thelbësore që mund të shquhen në Rregulloren e re janë: (i) rritja e efikasitetit në vendimmarrje përmes, ndër tjerash, shkurtimit të afateve të brendshme procedurale që ndërlidhen me publikimin e një vendimi gjyqësor pas vendimmarrjes; (ii) rritja e transparencës, sidomos në vendimmarrjen gjyqësore, ndër tjerash, përmes publikimit të raportit të votave për dhe kundër një vendimi, për dallim nga sistemi aktual përmes të cilit vendimmarrja gjyqësore publikohet vetëm përmes shënimit nëse një vendim është marrë përmes votimit njëzëri ose me shumicë, si dhe hapjes për mendime mospajtuese dhe konkurruese të gjyqtarëve në të gjitha kategoritë e vendimmarrjes së Gjykatës, për dallim nga sistemi aktual ku të njëjtat ishin të lejuara vetëm përkitazi me Aktgjykimet e Gjykatës; (iii) rritja e transparencës dhe llogaridhënies së Gjykatës përmes konsolidimit të parimeve dhe procedurave për qasje në dokumente gjyqësore, duke përfshirë ato konfidenciale; dhe (iv) konsolidimi i mekanizmave të brendshëm për mbikëqyrje sistematike dhe të rregullt të zbatimit të vendimeve të Gjykatës.

“Procesi i hartimit të Rregullores së re të Punës është përmbyllur më 27 qershor 2023, kur Gjykata ka shqyrtuar dhe votuar në seancë administrative Rregulloren e Punës nr. 01/2023. Të njëjtën ditë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë miratuar edhe Kodin e ri të Etikës për Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe i cili tashmë është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese. Ky kod etike, reflekton standardet më të larta të sjelljes etike të gjyqtarëve të ngërthyera në (i) parimet e përcaktuara përmes Opinioneve dhe Raporteve relevante të Komisionit të Venecias; (ii) rregullat e etikës të përcaktuara nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian; por dhe ato që burojnë nga (iii) analiza krahasimore e gjykatave tjera kushtetuese”, thuhet tutje në komunikatë.

Tutje theksohet se Gjykata Kushtetuese mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të përmirësojë funksionimin e brendshëm administrativ dhe vendimmarrjen gjyqësore, në aspekt të efikasitetit, cilësisë, transparencës dhe llogaridhënies, duke ndjekur dhe zbatuar praktikat më të mira evropiane dhe më gjerë, brenda fushëveprimit që lejon Kushtetuta, Ligji për Gjykatën Kushtetuese dhe ligjet tjera të aplikueshme të Republikës së Kosovës./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme