Zelensky: Forcat ukrainase po përparojnë në jug

08:55 | 10 Korrik 2023
E.H

Të dielën, forcat ukrainase vazhduan përpjekjet e tyre për të rimarrë rajonet në juglindje të vendit, të cilat aktualisht janë nën kontrollin rus, tha presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky përmes video-transmetimi.

Sipas raporteve nga burimet ruse, përleshje intensive ndodhën në zonat përreth qytetit të Bahmutit, i cili ishte pushtuar nga forcat mercenare ruse Wagner në muajin maj, pas shumë muajsh luftimesh në këtë qytet.

Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov njoftoi vendosjen e një prej njësive të tij në këtë rajon.

E armatosur me armatim të avancuar nga Perëndimi, gjatë mbi 500 ditëve të konfliktit, Ukraina ka filluar një kundërofensivë ndaj ushtrisë ruse. Përpjekjet fillestare të tyre janë përqendruar në rimarrjen e një grupi fshatrash në jugperëndim, teksa në të njëjtën kohë përpiqen të rimarrin kontrollin mbi rajonet përreth qytetit të Bahmutit.

Hanna Maliar, zëvendësministrja e mbrojtjes e Ukrainës, përcolli përmes Telegramit, ku tha se beteja intensive po shpaloseshin në dy zona juglindore.

“Ne po konsolidojmë fitoret tona në ato fusha”, shkroi ajo.

Sipas deklaratës së saj, trupat ruse po mbrojnë gjatë gjithë kohës Bahmutin, dhe tha se forcat ukrainase kishin bërë disa përparime në krahun jugor të qytetit.

Nuk pati ndryshime të dukshme në pozicionet veriore të Bahmutit dhe forcat ukrainase u angazhuan në luftime intensive në perëndim të Bahmutit dhe afër Limanit, i cili ndodhet më në veri në rajonin e Donjeckut.

Në një intervistë me rrjetin televiziv amerikan ABC përpara samitit të NATO-s në Lituani, presidenti Zelensky shprehu shpresat e tij në lidhje me anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në aleancën e mbrojtjes perëndimore.

Zelensky, gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan ABC, përpara samitit të NATO-s të kësaj jave në Lituani, ku Kievi shpreson të marrë indikacione të forta si për anëtarësimin e ardhshëm në aleancën e mbrojtjes perëndimore, ashtu edhe për garancitë për sigurinë e saj, pranoi se përparimet ishin më të ngadalta se sa dëshironin ai dhe gjeneralët e tij, por tha se forcat ukrainase po përparojnë.

“Të gjithë ne duam ta bëjmë më shpejt [kundërsulmin] sepse çdo ditë do të thotë humbje të reja të ukrainasve. Ne po përparojmë. Nuk kemi ngecur”, tha ai, duke theksuar se ushtria kishte kapërcyer një “lloj stagnimi” në muajt e mëparshëm.

“Të gjithë do të donim ta shihnim kundërsulmin të realizohej në një periudhë më të shkurtë kohore. Sot, iniciativa është në anën tonë”, tha ai.

Vëmendje e madhe ditët e fundit është përqendruar te fshati Klishçivka, i shtrirë në jug të Bahmutit.

Udhëheqësi çeçen Kadyrov, duke shkruar në Telegram, tha se njësia e tij “Akhmat” ishte duke luftuar në krah të Rusisë në qytetin e Bakhmutit. Ai postoi një video të një komandanti në majë të një automjeti të blinduar pranë fshatit Klishçivka.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj kishin zmbrapsur përparimet ukrainase pranë Bahmutit, me luftimet e vështira “jo vetëm nga intensiteti ditor i betejave, por edhe nga shtrirja gjeografike”.

Analisti ushtarak ukrainas Denys Popovych tha se forcat ukrainase kishin marrë “pozicione të rëndësishme pranë Klishçivkës”./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme