QKMK: Rënie e hyrjeve në pikën kufitare në Merdar, ngritje në Morinë

14:31 | 9 Korrik 2023
E.H

Situata në veri të vendit, ka krijuar një pasiguri për të gjithë bashkatdhetarët që marrin rrugën në Kosovë përmes pikave kufitare të Serbisë.

Të dhënat e fundit nga Qendra për Menaxhim Kufitar theksojnë se ka rënie të hyrjeve në pikat kufitare tokësore të Kosovës.

Për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në vendet evropiane, po zgjedhin rrugë më të gjata për vizitë në vendlindje, por të sigurt.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka bërë të ditur për Radio Kosovën, përmes postë elektronike, se hyrjet për në Kosovë janë shtuar më shumë në pikëkalimin “Perëndimi” në Morinë, përderisa pikëkalimi “Veriu”, ku përfshihet pikëkalimi në Merdar, ka shënuar dukshëm rënie.

Sipas statistikave të tyre del se në nga data 01.06.2023-deri më 03.07.2023 në Kosovë kanë hyrë 591 mijë e 636 persona. Kjo është një rënie krahasuar në datat e njëjta të vitit 2022, ku përmes pikave kufitare tokësore në Kosovë kanë hyrë mbi 740 mijë persona.

Bashkatdhetari Rexhë Islamaj, jeton në Zvicër. Ai thotë se për shkak të situatës në vend dhe thirrjes së qeverisë për shmangie të pikës kufitare në Merdar, ka ardhur në Kosovë përmes rrugës Kroaci, Mal të Zi e Shqipëri.

“E kam ndërruar për shkak që qeveria ka kërkuar, dhe një shok me mua ka qenë me dokumente të Kosovës, dhe nuk kemi dashur që t’i biem andej për shumë arsye. Kam ardhur nëpër Kroaci, kemi kaluar shumë mirë. Rruga ishte shkurtuar për 100 km, dhe kemi hyrë në Mal të Zi direkt dhe pa telashe. Kemi ardhur gjithmonë për Merdar ose te Dheu i Bardhë, e tash kthimin do ta bëjë nga Durrësi për në Itali, me trajekt”, tha Islamaj.

Fatmir Syla, ka vite që jeton në Gjermani me familjen e tij. Ai thotë se nuk kalon nga Merdari asnjëherë për shkaqe sigurie.

“Nga Gjermania kam ardhur me 26, nga Kroacia-Slloveni –Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri, e preferojë gjithmonë këtë rrugë për shkak të sigurisë. Kam pasur frikë se do të ketë më fluks për arsye se për Serbi kanë bërë thirrje me u shmang, por ka qenë gjithçka në rregull edhe pa tollovi, përveç në Mal të Zi që kemi pritur 10 minuta përndryshe udhëtimi ka qenë pa probleme dhe shumë mirë kemi kaluar. Unë për Merdar nuk udhëtoj kurrë, për shkak të sigurisë”, tha Syla.

Qeveria ditë më parë, i ka bërë thirrje diasporës kosovare që të shmangin pikëkalimin kufitar nëpërmjet Serbisë, për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, për të shmangur çfarëdo incidenti, dhe duke përdorur rrugë alternative për udhëtim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme