NATO-ja do të kërkojë veprime konkrete ndaj Kinës në takimin e Vilnusit

16:05 | 7 Korrik 2023
Arbresh

Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s vitin e kaluar në Madrid, aleanca për herë të parë e njohu Kinën si një sfidë sigurie. Javën e ardhshme, ndërsa krerët e NATO-s takohen për një takim të nivelit të lartë në Vilnius të Lituanisë, ata do të ndërmarrin veprime konkrete. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara, i hedh një vështrim nevojës së NATO-s për të krijuar një qasje koherente ndaj asaj që e sheh si kërcënim ndaj Kinës dhe pengesave që mund të hasë për ta bërë një gjë të tillë.

Lufta në Ukrainë dhe tensionet në ngushticën e Tajvanit janë gjeografikisht të largëta. Por gjeopolitikisht, të dyja janë të ndërlidhura, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në fillim të këtij viti në Tokio.

“Nëse presidenti Putin fiton në Ukrainë, kjo do të dërgonte mesazhin se regjimet autoritare mund të arrijnë qëllimet e tyre përmes forcës brutale. Kjo është e rrezikshme. Pekini po shikon nga afër dhe po nxjerr mësime që mund të ndikojnë në vendimet e tij në të ardhmen”.

Nëse udhëheqësi kinez Xi Jinping vendos të pushtojë Tajvanin, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja mund të tërhiqen pa dashje në konflikt – një emergjencë që aleanca duhet të planifikojë. Vitin e kaluar në Takimin e Madridit, Koncepti Strategjik i NATO-s e quajti Kinën “sfidë sistemike për sigurinë euroatlantike”.

Këtë vit në takimin e Vilniusit, në Lituani, ata do të duhet ta kthejnë konceptin në veprim.

Përtej Tajvanit dhe shqetësimeve për lirinë e lundrimit, NATO-ja është e shqetësuar nga kontrolli në rritje i Pekinit mbi infrastrukturën kritike evropiane si rrjeti 5G, dhe ndikimi i funksionimit të tij.

“Pra, aktivitetet kibernetike dhe hibride, por edhe më në përgjithësi, ndikimi politik kinez në Evropë është sigurisht një shqetësim në rritje”, thotë Anca Agachi me Këshillin e Atlantikut.

Partnerët e Indo-Paqësorit – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut morën pjesë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s vitin e kaluar dhe do të marrin pjesë përsëri në Vilnius.

“Këto vende të Indo-Paqësorit, kanë një përvojë unike duke u angazhuar me Kinën dhe mund të sjellin një perspektivë të vlefshme në diskutim” tha John Kirby me Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Ndërsa aleatët mund të bien dakord se sfida e Kinës është reale, ata ndryshojnë në mënyrën se si ta trajtojnë atë.

Shumë vende evropiane mbështeten shumë në investimet dhe tregtinë kineze. Sipas të dhënave të BE-së, Kina përbën pothuajse 10% të eksporteve të Evropës dhe rreth 20% të importeve të saj./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme