Shefi i “Wagnerit”, Yevgeny Prigozhin – i cili udhëhoqi një rebelim jetëshkurtër në Rusi muajin e kaluar – është në Rusi dhe jo në Bjellorusi, deklaroi lideri i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko. Kremlini ndërkohë nuk i konfirmoi këto deklarata.
Vendndodhja e Prigozhinit ka qenë mister që nga rebelimi. Sipas marrëveshjes për t’i dhënë fund rebelimit, akuzat kundër tij u hoqën dhe atij iu ofrua zhvendosja në Bjellorusi.
Por të enjten, udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, tha: “Sa i përket Prigozhinit, ai është në Shën Petersburg. Ai nuk është në territorin e Bjellorusisë”.
Në përgjigje të komenteve të Lukashenkos, zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, tha të enjten se vendi i tij “nuk po monitoron” lëvizjet e liderit mercenar, Yevgeny Prigozhin, i cili para pak kohësh udhëhoqi një rebelim jetëshkurtër kundër Kremlinit.
Lukashenko ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për Prigozhinin për t’i dhënë fund rebelimit të tij më 24 qershor, në këmbim të amnistisë dhe garancive të sigurisë për veten dhe ushtarët e tij si dhe leje për t’u shpërngulur në Bjellorusi. E i njëjti para një jave tha se Prigozhini kishte mbërritur në Bjellorusi.
BBC-ja gjurmoi avionin privat të Prigozhinit, dhe fluturimin për në Bjellorusi në fund të qershorit dhe kthimin e avionit në Rusi po atë mbrëmje.
Që atëherë, janë bërë disa fluturime midis Shën Petersburgut dhe Moskës – megjithëse nuk është e qartë nëse Prigozhini ka qenë në bord. BBC-ja gjithashtu nuk mund të verifikojë pretendimin e Lukashenkos për vendndodhjen aktuale të liderit të “Wagnerit”.
Por udhëheqësi bjellorus u tha gazetarëve se e dinte “me siguri” se Prigozhini është i lirë, duke theksuar: “Unë fola me të në telefon dje”.
Të enjten, Lukashenko shtoi se “me sa di unë” pjesa tjetër e luftëtarëve të “Wagnerit” ishin ende në bazat e tyre – të cilat mund të përfshijnë Ukrainën lindore ose një bazë stërvitore në rajonin Krasnodar të Rusisë.
Lukashenko – i cili ka qeverisur Bjellorusinë që nga viti 1994 dhe mendohet se ka manipuluar zgjedhjet e vitit 2020 për të mbajtur pushtetin – tha se ai nuk e vlerëson zhvendosjen e luftëtarëve të “Wagnerit” në Bjellorusi si të rrezikshme dhe nuk beson se ata do të rrokin armët kundër vendit të tij.
Grupi Wagner është një ushtri private mercenarësh që ka luftuar përkrah ushtrisë së rregullt ruse në Ukrainë.
Gjatë rebelimit të Prigozhinit mercenarët e “Wagnerit” kaluan nga kampet fushore të Ukrainës në qytetin jugor të Rostov-on-Donit, duke marrë komandën e disa objekteve ushtarake. Luftëtarët e “Wagnerit” udhëtuan më pas në veri, drejt Moskës, duke bërë që Kremlini të vendosë mbrojtje më të fortë në shumë rajone, përfshirë kryeqytetin.
Presidenti rus, Vladimir Putin, më vonë tha se pilotët rusë u vranë gjatë rebelimit dhe disa avionë u shkatërruan.
Putini fillimisht e akuzoi grupin për tradhti, por sipas marrëveshjes që i dha fund kryengritjes, Prigozhinit iu premtua siguria.
Luftëtarët e “Wagnerit” mund të zgjidhnin mes nënshkrimit të kontratave të rregullta të ushtrisë, të shkonin në shtëpi ose në Bjellorusi.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...