Vendet anëtare të NATO-s po përgatiten për takimin vjetor të nivelit të lartë që do të mbahet në datat 11 dhe 12 korrik, në Vilnius të Lituanisë, ndërsa Ukraina po i bën thirrje aleancës për ofrimin e mundësisë për një anëtarësim të përshpejtuar. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg konfirmoi të martën se do të vazhdojë në këtë detyrë edhe për një vit, ndërkohë që Perëndimi po përpiqet të ruajë unitetin përballë agresionit të Rusisë.
Ukraina aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në NATO në shtator, pas shpalljes nga Rusia të aneksimit të territoreve që pushtoi në lindje të vendit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje NATO-s që në takimin e nivelit të lartë të javës së ardhshme të mundësohet anëtarësimi i përshpejtuar i vendit të tij.
“Në takimin e Vilniusit, na nevojitet një sinjal shumë konkret dhe i qartë se Ukraina mund të bëhet, dhe se ka të drejtën të bëhet, një vend anëtar i barabartë i NATO-s, pas luftës”, tha Presidenti Zelensky.
Kërkesa e Ukrainës ka mbështetjen e disa vendeve të NATO-s – përfshirë Britaninë, Poloninë dhe vendet balltike.
“Është e nevojshme të krijohet korridori, procedurat, algoritmi – se si duhet të veprohet pasi lufta të ketë përfunduar, ose sipas rrethanave që do të jenë”, tha Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda.
Por disa vende të NATO-s – ndër to Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania – nuk kanë dhënë ende mbështetjen për një anëtarësim të përshpejtuar për Ukrainën.
Ekzistojnë pikëpyetje, si p.sh. se si do të zbatohej Neni 5 i NATO-s për mbrojtjen kolektive në rastin e një vendi në luftë me Rusinë.
“Mund të imagjinohet një marrëveshje sipas së cilës Neni 5 mund të vlente vetëm për territorin e pakontestuar apo të lirë ukrainas, për territorin që kontrollon Kievi. Ndërsa për territoret ende të kontestuara, qoftë me mjete ushtarake, politike apo diplomatike, ato do të lihen jashtë ombrellës së Nenit 5. Mendoj se ky është një skenar më realist. Por, kjo është pikërisht arsyeja përse mendoj se argumenti është për ta filluar procesin në Vilnius”, thotë Fabrice Poitier, ish-drejtor për planifikimin e politikave në NATO.
Vendet e NATO-s do të përpiqen gjithashtu të bien dakort për një riangazhim për të shpenzuar të paktën dy përqind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, ndërsa ekzistojnë shqetësime se disa vende anëtare nuk po e arrijnë këtë objektiv.
Ndërkaq, aplikimi i Suedisë për anëtarësim në NATO – i paraqitur së bashku me Finlandën për shkak të sulmit të Rusisë në Ukrainë – vazhdon të bllokohet nga Turqia, e cila e akuzon Stokholmin se strehon kurdë që Ankaraja i quan terroristë. Aleatët shpresojnë që të arrihet një zgjidhje gjatë takimit të nivelit të lartë.
NATO-ja e njohu Kinën si një sfidë ndaj sigurisë dhe vlerave të saj për herë të parë në takimin e nivelit të lartë të vitit të kaluar. Vendet aleate nuk ka gjasa ta ndryshojnë këtë qëndrim, tha zoti Poitier.
“Megjithatë, me rëndësi mendoj se do të jetë takimi me krerët e vendeve joanëtare nga rajoni Indo-Paqësor – Koreja e Jugut, Japonia, Zelanda e Re dhe Australia – që mendoj se do të japë një sinjal të mëtejshëm se sa e angazhuar është aleanca, të paktën në nivel politik, me partnerët në rajon”, thotë zoti Poitier.
Vendet e NATO-s do të diskutojnë edhe për rreziqet e reja dhe të ardhshme, përfshirë ndryshimin klimatik, teknologjitë kibernetike dhe të hapësirës./voa
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...