Konjufca deklarohet pas takimit me Edi Ramën

19:21 | 6 Korrik 2023
K.B

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është deklaruar për media pas takimit me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën.

Konjufca bëri të ditur se diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe tha se Rama mund të bëjë shumë më shumë se sa që po bën aktualisht.

“Ne biseduam për zhvillimet në vend, për situatën politike, për ndihmën që e presim nga Qeveria Rama, për të gjitha këto procese të vështira që po kalojmë. I tregova që ndihma e Shqipërisë, është e pazëvendësueshme dhe Rama mund të na ndihmojë shumë më shumë se po e bën aktualisht, që republikën e Kosovës, në përpjekjet tona që janë shtetërore dhe kushtetuese, për të vendosur rend dhe ligj, të mos e shohin Kosovën fajtore, këtu nuk ka fajtor, këtu mund të ketë përgjegjësi”, ka deklaruar Konjufca.

Konjufca u shpreh se me Ramën është takuar sepse Kosova sipas tij nuk ka probleme shtetërore me Shqipërinë.

Konjufca the se problemet  kanë ardhur nga Shqipëria, me anulimin e mbledhjes së dy qeverive, sipas tij pa ndonjë arsye.

“Rama ishte i shqetësuar sa i përket presionit ndërkombëtar, por mua ma la përshtypjen se ai po e përjeton presionin më shumë se ne. Ne nuk kemi probleme shtetërore me Shqipërinë. Problemi ka ardhur nga ana e Shqipërisë, ata pa kurrfarë arsye madhore e anuluan një mbledhje të shumëpritur nga qytetarët e Kosovës, mbledhjen e dy qeverive. Nuk mendoj që është hakmarrje”, tha ai./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme