Lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, tha se shefi i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin, më nuk gjendet në Bjellorusi.
Lukashenka kishte ndërmjetësuar një marrëveshje që i dha fund rebelimit të armatosur në Rusi më 24 qershor. Tre ditë më vonë, lideri bjellorus tha se Prigozhin gjendej në Bjellorusi.
Mercenarët e Wagner-it për një kohë të shkurtër morën kontrollin e qytetit rus, Rostov-mbi-Don, dhe më pas marshuan drejt Moskës. Por, ata u ndalën pak para se të arrinin në kryeqytetin rus, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Lukashenka.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se mercenarët e Wagner-it, që nuk morën pjesë në rebelim, mund të shkojnë në Bjellorusi ose t’i bashkohen ushtrisë së rregullt ruse.
Lukashenka u tha gazetarëve të enjten se “sa i përket Prigozhinit, ai gjendet në Shën Petersburg. Ai nuk është në territorin e Bjellorusisë”.
Një avion, që është i lidhur me biznesin e Prigozhinit, u largua nga Shën Petersburgu dhe u nis drejt Moskës të mërkurën, ndërkaq të enjten ky avion po fluturonte në jug të Rusisë. Kështu bëhet e ditur sipas gjurmimit të të dhënave të fluturimeve, por ende nuk është e qartë nëse shefi i Wagner-it ndodhej në bordin e këtij avioni.
Lukashenka tha se oferta që i ka bërë Wagner-it që të stacionojë disa nga luftëtarët e tij në Bjellorusi –paralajmërim që ka alarmuar shtetet fqinje të NATO-s – ende qëndron.
Ai tha se nuk sheh ndonjë rrezik për Bjellorusinë dhe se nuk beson që luftëtarët e Wagner-it do të luftonin kundër shtetit të tij.
Javën e kaluar, Lukashnka tha se gjatë ndërmjetësimit të marrëveshjes – që i dha fund rebelimit – ai e kishte bindur Putinin që të “mos e zhdukte” Prigozhinin.
Megjithatë, ka shumë të panjohura për marrëveshjen që ndërmjetësoi Lukashenka dhe nëse e njëjta po zbatohet, ashtu siç palët janë pajtuar./REL/
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...