Prokuroria suedeze ngre aktakuzë ndaj aktivistes Greta Thunberg

23:09 | 5 Korrik 2023
K.B

Prokurorët suedezë kanë ngritur aktakuzë ndaj aktivistes së njohur për klimën Greta Thunberg për mosbindje ndaj zbatimit të ligjit në lidhje me një protestë në qytetin e Malmos muajin e kaluar.

Gazeta lokale Sydsvenskan raportoi të mërkurën se Thunberg u arrestua me aktivistë të tjerë pasi ata ndaluan trafikun në terminalin e naftës të portit në Malmo më 19 qershor.

Një deklaratë e shkurtër nga prokurorët suedezë të mërkurën tha se një “grua e re” u akuzua për mosbindje sepse “refuzoi të zbatonte urdhrat e policisë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes” gjatë protestës. Deklarata nuk e identifikoi personin, por zëdhënësja e Prokurorisë Suedeze Annika Collin konfirmoi se ishte Thunberg.

Gazeta Sydsvenskan tha se aktivistja 20-vjeçare suedeze do të thirret në gjyq në fund të korrikut.

Një prokurore suedeze i tha gazetës se akuza e mosbindjes zakonisht dënohet me gjoba.

Ekipi mediatik i Thunberg nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Thunberg frymëzoi një lëvizje globale rinore që kërkon përpjekje më të forta për të luftuar ndryshimet klimatike pas organizimit të protestave javore jashtë Parlamentit suedez duke filluar nga viti 2018.

Në fillim të këtij viti, aktivistja Thunberg u arrestua nga policia e Gjermanisë teksa po merrte pjesë në një protestë kundër prishjes së planifikuar të një fshati, për t’i hapur rrugë zgjerimit të një miniere të qymyrit.

Ajo u lirua të nesërmen./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme