Pritet që anëtarët e NATO-s të bien dakord nesër për vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg edhe për një vit, konfirmuan sot katër diplomatë, raporton Reuters.
Ka pasur shumë sinjale që tregojnë për një vendim të tillë në javët e fundit, por tani ambasadorët e NATO-s pritet të miratojnë zyrtarisht zgjatjen e mandatit të shefit të aleancës gjatë një takimi të martën, thanë diplomatët, duke folur në kushte anonimiteti, transmeton Telegrafi.
Stoltenberg e ka udhëhequr aleancën e NATO-s përmes një sërë krizash që nga marrja e detyrës në vitin 2014, dhe së fundmi mblodhi anëtarët e NATO-s në mbështetje të Ukrainës, ndërsa ai u përpoq të parandalonte që lufta atje të përshkallëzohej në një konflikt të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë.
64-vjeçari është një ish-kryeministër norvegjez. Ai duhej të përfundonte mandatin e tij si zyrtari më i lartë civil në aleancën transatlantike të sigurisë në fund të shtatorit, por tani ka të ngjarë të qëndrojë për 12 muaj të tjerë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha në shkurt se ai nuk po kërkon një zgjatje të kontratës. Por anëtarët e NATO-s i kërkuan që ta pranonte atë pasi nuk arritën një konsensus për një pasardhës.
Në mesin e atyre që u diskutuan si kandidatë ishin Sekretari Britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, i cili ka thënë hapur se do ta pëlqente punën, dhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen, e cila ka këmbëngulur publikisht se nuk është kandidate për këtë punë. /Telegrafi/
Moti nesër: Diell dhe vranësira, temperaturat lëvizin nga -5...
Çaji që duhet të konsumoni për uljen e tensionit të lartë
Aksident me vdekje në aksin Gjirokastër-Tepelenë
SHBA ekspozojnë planin iranian për vrasjen e Donald Trump-it
Presidenti palestinez bisedë telefonike me Trump
Simptomat e demencës përkeqësohen ndjeshëm në këtë pjesë të ...