“Policët e kidnapuar nga Serbia s’janë të detyruar t’i përgjigjen asnjë ftese për ndjekje penale”

10:41 | 2 Korrik 2023
A Z

Njohësit e sigurisë dhe të drejtësisë thonë se arrestimi i tre policëve zyrtarë nga Serbia është bërë pa asnjë bazë ligjore.

Lavdim Makshana, Hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se edhe pse Gjykata e Lartë në Kralevë-Serbi iu ka ndërprerë paraburgimin tre policëve kosovar, megjithatë ajo nuk është tërhequr nga ndjekja penale ndaj tyre.

Kjo pasi sipas tij ndaj të njëjtëve është ngritur aktakuzë për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve.

“Ajo çka është e rëndësishme të theksohet në rastin konkret është që institucionet e drejtësisë në Serbi nuk kanë bazë ligjore për hetimin dhe gjykimin e policëve të Republikës së Kosovës, pasi në rastin konkret tre policët nuk kanë kryer fare vepër penale, të njëjtit kanë qenë duke ushtruar detyrat dhe përgjegjësitë e veta brenda juridiksionit territorial të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai për Arbresh.info

Tutje ai tha se kjo çështje është më shumë politike se sa çështje e karakterit juridiko-penale, dhe se policët e ndjekur nuk i nënshtrohen asnjë gjykate në Serbi dhe të njëjtit nuk janë të detyruar ti përgjigjen asnjë ftese.

“Është farse që të njëjtit të hetohen dhe gjykohen në liri, pasi në rastin konkret kjo çështje më shumë është çështje politike se sa çështje e karakterit juridiko-penale. Kosova dhe Serbia nuk kanë nuk kanë marrëveshje për bashkëpunim juridik-ndërkombëtar, andaj edhe policët e ndjekur nuk i nënshtrohen asnjë gjykate në Serbi dhe të njëjtit nuk janë të detyruar ti përgjigjen asnjë ftese të këtyre gjykatave”, tha Makshana.

Por sipas tij mund të ketë pasoja në kuptim të lëshimit të urdhër arresteve ndërkombëtare nga Serbia.

“Megjithatë, për të njëjtit mund të ketë pasoja në kuptim të lëshimit të urdhër arresteve ndërkombëtare nga Serbia pasi në rast se të njëjtit udhëtojnë në shtete të tjera do të mund të kërkohet arrestimi i përkohshëm të personave me qëllim të ekstradimit”, theksoi tutje ai.

Kjo çështje sipas Makshanes duhet të zgjidhet në mënyrë politike, pasi motivet janë të tilla.

“Mirëpo, meqenëse akuzat janë me motive politike, kjo çështje duhet të zgjidhet në rrafshin politik, pra nevojitet që në koordinim me partnerët ndërkombëtar të obligohet Serbia që mos të persekutojë shtetasit e Kosovës për gjykimeve politike”, përfundoi ai.

Ish-drejtori i Inspektoratit Policor të Kosovës, Valdet Hoxha mendon se arrestimi ndaj tre zyrtarëve policor të Kosovës nuk ka asnjë bazë ligjore.

“Arrestimi, ndjekja penale dhe akuza ndaj tre zyrtarëve policor të Republikës se Kosovës nga Serbia, natyrisht që nuk ka asnjë bazë ligjore, por është një rast klasik i kidnapimit dhe akt agresioni ndaj shtetit tonë”, tha ai gjatë një prononcimi për Arbresh.info

Hoxha pohoi se policët janë kidnapuar brenda territorit të Republikës së Kosovës, madje në thellësi të dukshme, kjo e verifikuar nga organet kompetente.

“Kidnapimi i tyre ka ndodhur si rrjedhojë e një skenari të mire menduar serb me qellim të eskalimit të situatës dhe ndezjes së një konflikti ndëretnik, me qëllim që pastaj të fajësohet Shteti i Kosovës”, pohoi ai.

Hoxha tha se Institucionet e Kosovës fatmirësisht nuk ranë në grackën serbe

“Fatmirësisht institucionet e Kosovës, nuk ranë në grackën serbe për ta realizuar skenarin e tyre por u koordinuan ngushte me partneret ndërkombëtare presioni i të cilëve karshi Serbisë e mundësoi lirimin e policeve kosovare”, theksoi.

Sipas Hoxhës sa i përket aspektit ligjor nuk mund të ketë ndjekje penale ndaj askujt që nuk ka kryer asnjë vepër penale, policët e liruar tashmë nuk duhet t’i përgjigjen asnjë ftese nga ana e Serbisë.

“Natyrisht qe sa i përket aspektit ligjore nuk mund të ketë ndjekje penale ndaj askujt që nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe në rastin konkret policët e liruar nga kidnapimi nuk duhet t’i përgjigjen asnjë ftese politike nga institucionet e Serbisë, por fatkeqësisht duke e njohur Serbinë, ajo do ta mbajë rastin te hapur formalisht për ta shfrytëzuar politikisht dhe do mundohet ta përdorë gjatë fazës së bisedimeve, kurdo që ajo e vlerëson se mund ti konvenojë”, përfundoi Hoxha.

Tre zyrtarët policorë, Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin arrestuar më 14 qershor.

Ata janë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje, Qeveria e Kosovës njoftoi se institucionet kanë vendosur që të mos lejojnë hyrjen në Kosovë të automjeteve me targa të Serbisë.

Pas 13 ditëve shteti Serb pas presionit ndërkombëtar liroi tre policët.

Pas lirimit të tyre nga Gjykata e Kralevës, tre policët kanë arritur shëndosh e mirë në vend përmes pikë kalimit kufitar në Merdarë./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Të ngjashme