Shqipëria përballë sfidave për menaxhimin e pyjeve

20:20 | 1 Korrik 2023
Orgesa Haziri

Me rreth 1.3 milion hektarë me pyje, Shqipëria prej vitesh përballet me sfidën e menaxhimit të kësaj pasurie kombëtare.

Gjatë 30 viteve të fundit sipërfaqja pyjore ka ardhur duke u zvogluar, me pasoja jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në mjedis, thotë inxhinieri i pyjeve Mark Rupa.

“Jemi përballë disa sfidave globale, siç janë ndryshimet klimatike, por njëkohësisht kemi edhe sfidat tona lokale siç janë aftësia e menaxhimit të territoreve pyjore, aftësia për t’i administru dhe për t’u përballë me këto sfida, të cilat janë gjithnjë e në rritje në fushën e pyjeve. Shikohet vazhdimisht rritja e frekuencave të zjarreve në të gjithë bazenin e Mesdheut, por sidomos në Shqipëri, dhe është shqetësuese që, ndërsa këto frekuenca po rriten vazhdimisht, afërsia jonë menaxhuese dhe reaguese mbetet pa ndryshuar”.

Sipas Inventarit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave, 11 përqind e sipërfaqes pyjore në Shqipëri, ose 132 mijë hektare, janë përshkuar nga zjarret.

Në një pjesë të madhe të saj, mundësia e ripërtëritjes në mënyrë natyrale është e pakët për shkak të shkallës së dëmtimit.

Sipas Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, Artur Kala, pas zjarreve problematika kryesore në pyje është ajo e prerjeve të jashtëligjshme.

Sipas Inventarit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave, rreth 8 përqind e sipërfaqes pyjore, ose më shumë se 96 mijë hektarë janë prekur nga prerjet e jashtëligjshme. Drejtori Kala thotë se po bëhen përpjekje për forcimin e masave.

“Pas zjarreve, që normalisht është problematika kryesore ku ne kemi vënë fokusin kryesor, kemi edhe problematikën e dëmtimeve në pyje, me të cilën po punojmë fort. Kemi rritur bashkëpunimin ndërinstitucional me policinë e shtetit, po përpiqemi të forcojmë kapacitetet dhe strukturat inspektuese pranë bashkive me qëllim që të rrisin rolin e tyre monitorues dhe kontrollues në pyje. Kjo, për të parandaluar të gjitha dëmtimet dhe për të dërguar para drejtësisë të gjithë abuzuesit”.

Shqipëria ka shpallur Moratoriumin 10 vjeçar të ndalimit të prerjeve në pyje si dhe ka ashpërsuar masën e dënimit për zjarrvënësit dhe autorët e prerjeve të jashtëligjshme.

Megjithatë, janë të pakta rastet e ndalimit dhe dënimit të autorëve. Bashkitë, që kanë në administrim pyjet, vazhdojnë të kenë kapacitete të pakta për të kontrolluar dhe menaxhuar territorin dhe, po ashtu, janë të kufizuara kapacitetet e policisë dhe ushtrisë për shuarjen e zjarreve.

Ndërkohë, pasojat në mjedis dhe në jetën e komuniteteve lokale, sipas inxhinier Rupa, janë të mëdha.

“Shkaktojnë erozion, mbushje të shpejtë të bazeneve, rrjedhje më të shpejtë të ujit duke kriju përmbytje në zonat e ulëta, siç e shikojmë vazhdimisht që fenomeni i përmbytjeve po rritet dhe për këtë, një ndër shkaqet kryesore është edhe degradimi i pyjeve në këto ekosisteme. Ato shkatojnë varfërim të njerëzve, sepse burimet kryesore të të ardhurave të banorëve që jetojnë në zonat e larta malore janë vetë pyjet, vetë burimet natyrore”.

Përfaqësuesi i organizatës CNVP, “Bashkojmë vlerat e natyrës me njerëzit”, Jani Male, thotë se dëmtimi i sipërfaqeve pyjore ka rritur shkallën e erozionit, duke sjellë ndryshime në mjedis.

“Erozioni në bazenin e Drinit, por edhe në bazenet e tjera, është shumë problematik dhe ky vjen si shkak i degradimit dhe hapjes së tokave të bukës në shumë zona pyjore. Tani këto zona janë të abandonuara dhe ne, nëpërmjet bashkëpunimit me bashkitë dhe shoqatat e pyjeve, i kemi identifikuar zonat më të vështira që kanë erozion të fortë dhe këto do të ripyllëzohen”.

Me mbështetjen financiare të qeverisë së Austrisë, CNVP po zbaton projektin “Menaxhimi i integruar i pyjeve në bazenin e Drinit”, i cili është edhe më i madhi në Shqipëri dhe ku shkalla e dëmtimeve në mbulesën pyjore dhe erozion është mjaft e lartë.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në 100 vjetorin e shërbimit pyjor shqiptar, ka shpallur vitin 2024 si Vitin e Pyjeve në përpjekje për të mundësuar një mbrojtje dhe rehabilitim më të mirë të kësaj pasurie kombëtare, nëpërmjet komuniteteve lokale që e kanë bazuar tradicionalisht jetesën tek pyjet./voa/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme