Të paktën 13 të vdekur nga vala ekstreme e të nxehtit në SHBA

22:50 | 30 Qershor 2023
Diellza Gashi

Të paktën 13 persona kanë vdekur nga vala ekstreme e të nxehtit që ka torturuar jugun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dy javët e fundit, thanë zyrtarët amerikanë të premten.

Numri më i madh i vdekjeve, gjegjësisht 11 persona, u regjistrua në Teksas, pranë kufirit me Meksikën

“Që nga e mërkura, ka pasur 11 vdekje gjithsej”, thanë zyrtarët lokalë në një deklaratë për AFP-në.

Një 14-vjeçar vdiq javën e kaluar kur po ecte në një park në Teksas, ku temperaturat arritën 48 gradë celsius.

Në mënyrë tragjike, njerku i viktimës ka ndërruar jetë në një aksident automobilistik, teksa po nxitonte për ta shpëtuar djalin.

Ndërkohë një grua 62-vjeçare vdiq në shtetin fqinj të Luizianës javën e kaluar, pasi një stuhi la mijëra familje pa energji dhe rrjedhimisht pa ajër të kondicionuar, sipas zyrtarëve lokalë.

Ditët e fundit, temperaturat në disa qytete jugore të SHBA-së kanë qenë shumë të larta dhe autoritetet lokale në Teksas kanë ngritur disa qendra ftohjeje./rel/

Të ngjashme