Vëllaznimi do të garojë sërish në Ligën e Parë

19:52 | 30 Qershor 2023
Diellza Gashi

Vëllaznimi do të jetë pjesë e Ligës së Parë të Kosovës në futboll edhe edicionin e ardhshëm.

Skuadra gjakovare, njëra prej më të mëdhave sa i përket historisë së futbollit tonë, ka njoftuar se është fuzionimin me KF Drenasin.

“KF Vëllaznimi njofton mediat dhe publikun e gjerë se sezonin e ri futbollistik do të garojë në Ligën e Parë të Kosovës”.

“Pas shumë angazhimeve, Kryesia e Klubit arriti marrëveshje me KF Drenasin që të fuzionohen dhe KF Vëllaznimi ti vazhdoj garat në Ligën e Parë, kjo e gjitha falë të gjithë anëtarëve të Kryesisë që u angazhuan dhe u organizuan në mënyrë perfekte deri te zgjidhja e çështjes së Klubit”.

“KF Vëllaznimi deri më tani ishte i regjistruar ligjërisht si K.F.C Vëllaznimi, kurse tash e tutje emërimi zyrtar dhe ligjor i klubit do të kthehet në emrin Historik, gjegjësisht në Klubi i Futbollit “K.F. VËLLAZNIMI” Gjakovë, në këtë mënyrë duke rikonfirmuar vazhdimin e historisë së lavdishme të klubit tonë që nga viti i largët 1927 e deri më sot, dhe duke konfirmuar Logon origjinale dhe ngjyrat kuq e zi të cilat përfaqësojnë identitetin dhe historinë e klubit tonë”.

“Së shpejti do t’ju njoftojmë për fillimin e stërvitjeve për sezonin 2023/24 dhe rreth lojtarëve që kanë qëndruar në klub dhe atyre të cilët janë bashkuar me klubin gjatë afatit kalimtar veror”, thuhet në njoftimin e klubit. /Telegrafi/

Të ngjashme