Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Albin Kurtit, Nenad Rashiq, ka frikë se si do të përcaktohet se kush është dhe kush nuk është anëtar i Mbrojtjes Civile apo Brigadës së Veriut – dy organizata këto që Qeveria e Kosovës i shpalli terroriste më 29 qershor.
Rashiq votoi kundër një vendimi të tillë.
Ai thotë se vendimi është votuar nën pikën “Të ndryshme”, pra nuk kishte asnjë dokumentacion shoqërues për të ditur më shumë për të.
Andaj, Rashiq beson se ky vendim ka qenë i nxituar, dhe shpreson se nuk do të ketë pasoja për mbijetesën e serbëve në veri të Kosovës, të cilët, siç shprehet ai, largohen çdo ditë “për shkak të pasigurisë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë arsyetimit të vendimit se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.
Kurse, Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket këtij vendimi.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiq, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës keni votuar kundër shpalljes së organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste. Pse?
Nenad Rashiq: Para së gjithash, nuk ka qenë qëllimi im që kjo të kuptohet sikur unë po mbroj disa organizata të mundshme, që në këtë rast janë terroriste. Desha të theksoj, si gjithmonë, e thashë edhe dje në Qeveri, se me cilat metodologji do të përcaktohet faktikisht, apo me cilat metodologji është përcaktuar se këto organizata janë terroriste apo ekstremiste, dhe cilët do të jenë hapat pas kësaj? Kur do t’i identifikojnë, kush do të thotë se njëri nga individët është terrorist apo ekstremist?
Ai vendim u miratua në pikën “Të ndryshme”, që do të thotë se nuk kishte asnjë dokument shoqërues që do të tregonte kuadrin ligjor apo supozimin se do të dinim se për çfarë po vendosnim.
Përveç kësaj, ju vetë e dini se kohëve të fundit ka pasur shumë turbulenca për bashkëqytetarët tanë në veri të Kosovës dhe e gjithë kjo kontribuon në panikun që tashmë është krijuar. Nuk e di nëse e dini, por e di që çdo ditë, apo çdo të dytën ditë, keni një eksod nga veriu. Dhe ata njerëz që qëndruan, me disa vendime të nxituara si kjo, vihen në një situatë edhe më të keqe, duke e bërë qëndrimin e tyre të pasigurt.
Pra, vendim shumë i nxituar, për mendimin tim. Ndoshta do të duhej ta analizonim mirë. Në asnjë mënyrë nuk kam dashur të mbroj apo mbështes ndonjë organizatë që mund të quhet terroriste apo ekstremiste, por janë vendime që kanë nevojë për një hulumtim pak më të thellë dhe konstatim të fakteve, dhe vetëm pas konsultimit të merret një vendim i tillë.
Kështu, mendoj se ky në përgjithësi ishte një gabim, sepse mendoj se do t’i shqetësojë edhe më shumë bashkëqytetarët tanë në veri. Dhe, në asnjë mënyrë nuk do të kontribuojë në atë që ne vazhdimisht po promovojmë – që është pajtimi, një marrëveshje që mund të jetë gjithëpërfshirëse. Sipas mendimit tim, vetëm sa e vështirëson përpjekjen tonë për të arritur pajtimin.
Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët se ende nuk dihet se si do të përcaktohet nëse dikush është pjesë e këtyre dy organizatave. Ndërkohë, a keni arritur të mësoni diçka më shumë nga ministri i Punëve të Brendshme [Xhelal Sveçla]?
Nenad Rashiq: Sinqerisht, jo. Disa thonë se këto janë organizata absolutisht të shpikura, se nuk ekzistojnë në kuptimin e anëtarësimit, por përdoren vetëm si terminologji, si një shprehje e supozuar që t’i mbështesë bashkëqytetarët në veri.
Kujtojmë, termi “Mbrojtje Civile” ka qenë i pranishëm edhe më parë, dhe sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2016, nëse nuk gaboj, atëherë shumica e atyre anëtarëve të Mbrojtjes Civile janë integruar në shoqërinë kosovare, gjegjësisht secila prej ministrive kishte një numër të caktuar personash që ishin të punësuar dhe që dikur ishin në Mbrojtjen Civile.
Grafit në Mitrovicë të Veriut që bën thirrje për “rezistencë” ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.
LEXONI EDHE KËTË:
Në Mitrovicë të Veriut shfaqen grafite për “rezistencë” ndaj vendimit për targat
Prandaj, pyetja ime është përkatësisht – çka ndodh tani me njerëzit që ishin pjesë e Mbrojtjes Civile dhe tani janë pjesë e institucioneve të Kosovës?
Për këtë, kolegu Sveçla tha se kjo nuk vlen për ta, sepse të gjithë ata persona janë amnistuar me Marrëveshjen e Brukselit, prandaj nuk i përkasin atij grupi që mund të quhet ekstremist apo terrorist.
Prandaj, mendoj se ministri ka dashur të thotë se ndoshta rastet që do të ndodhin në të ardhmen, se diçka e tillë mund të cilësohet si qëllim terrorist apo ekstremist. Dua të besoj se kjo është bërë ndoshta për të parandaluar ndonjë veprim të mëtejshëm në atë lloj organizimi, siç janë ato dy organizata.
Prandaj, ka shumë paqartësi në metodologjinë e zbatimit të vendimit të djeshëm (29 qershor) të Qeverisë, por hajde po besoj se do të jetë më e qartë dhe shpresoj se nuk do të ketë pasoja për mbijetesën e serbëve në veriun e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Mendoni se zëri juaj “dëgjohet”?
Nenad Rashiq: Të gjithë e dëgjojnë, por si reagojnë ndaj tij? Fatkeqësisht, kapacitetet e organizatës sime politike janë të kufizuara, ky nuk është sekret. E imja është të përpiqem t’i mbroj interesat e komunitetit në çdo mënyrë, me krejt fuqinë që kam dhe në këtë rast si pak më konkret- interesat e komunitetit serb, dhe këtë do ta bëj gjithmonë.
Tani, sa i suksesshëm jam në këtë nuk varet vetëm nga unë. Varet nga shumë faktorë, jo vetëm vendas, por edhe ndërkombëtarë. Është një organizatë më e gjerë, për të cilën duhet punuar vazhdimisht për të arritur diçka.
Radio Evropa e Lirë: Ju folët për “pasoja të rënda” nga një vendim i tillë. Çfarë pasojash kishit në mendje?
Nenad Rashiq: Pra këtë – paniku do të mbizotërojë edhe më tej në veri. Thashë, thuajse çdo ditë ke njerëz që largohen për shkak të asaj pasigurie që është krijuar.
Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët se është gjithnjë e më e vështirë të arrihet bashkëpunim me serbët që jetojnë në veri. Por, ministri i Brendshëm beson se këto dy organizata po e vështirësojnë bashkëpunimin dhe komunikimin me serbët në veri. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
Nenad Rashiq: Do të përmend një shembull nga diplomacia, që nëse doni të komunikoni me njerëzit, duhet të gjeni anën më të mirë të institucioneve tuaja – në këtë rast është komunikimi për të drejtat që mund të realizohen dhe të ofrohen në veri të vendit.
Fatkeqësisht, muajt e fundit nuk kemi qenë plotësisht afër të gjithë njerëzve në terren, për shkak të atyre pengesave “reale” që kanë ndodhur, për shkak të situatës së sigurisë, megjithëse jemi përpjekur në mënyra të ndryshme, siç po bën Ministria për Komunitete [dhe Kthim], që të jetë më afër qytetarëve, me konkurse për t’i ndihmuar fermerët, biznesmenët, organizatat joqeveritare… Përsëri, Qeveria [e Kosovës] mund dhe duhet të bëjë shumë më tepër për të treguar fytyrën e saj të vërtetë se dëshiron që serbët të integrohen në shoqëri.
Radio Evropa e Lirë: Si ministër për Komunitete, a keni kontakte me njerëzit në veri?
Nenad Rashiq: Sigurisht, ne kemi emëruar një zëvendësministër nga veriu [Radojica Radomiroviq]. Kemi punësuar edhe disa bashkëpunëtorë për të punuar për njerëzit nga veriu. Kemi marrë rreth 20-30 aplikime për mbështetje të bizneseve, fermerëve, organizatave joqeveritare.
Është bërë njëfarë progresi nga ana jonë, por duhet bërë shumë më tepër. Gjëja tjetër që do të bëhet është hapja e konkurseve në disa komuna pas pozitave të lira [për shkak të dorëheqjes së njerëzve nga komuniteti serb].
Flamuj të Serbisë të vendosur në Mitrovicë të Veriut. Fotografi ilustruese.
LEXONI EDHE KËTË:
Kush i pengon serbët në Kosovë të aplikojnë për ndihmë nga Qeveria?
Radio Evropa e Lirë: Në përgjithësi, si do t’i vlerësonit veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri gjatë javëve të fundit?
Nenad Rashiq: Ende mund të bëhet më shumë, ka vend për përparim të madh. E kuptoj shqetësimin, të gjithë e dimë që ka pasur vepra të ndryshme kriminale në veri, por nuk mund të përgjithësohet ai kriminalitet për të gjithë ata që jetojnë në veri. Sigurisht, ata që kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe në asnjë mënyrë nuk kam ndërmend t’i mbroj ata njerëz, por jo t’i vendos të gjithë në të njëjtën kategori.
Çdo krim apo kriminel ka një emër dhe mbiemër; i gjithë populli apo komuniteti nuk mund të karakterizohet si kriminel.
Radio Evropa e Lirë: Ne kemi qenë dëshmitarë të një konflikti me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan. Mendoni se këto janë akte terroriste apo jo?
Nenad Rashiq: Nuk do ta quaja akt terrorist, aty ishin disa qindra njerëz. Në këtë rast, nëse themi kështu, do të thotë se ata do të ishin terroristë? Absolutisht jo, ata ishin individë që shfrytëzuan rastin për t’i lënduar anëtarët apo policët e KFOR-it me disa mjete. Çdo kriminel ka një emër dhe një mbiemër, nuk mund të ketë një komunitet të përgjithësuar për diçka që është bërë nga individë.
*Video nga arkivi: Dhunë, gaz, tension: Zhvillimet në veri në dy minuta
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni zgjidhjen e krizës aktuale në veri?
Nenad Rashiq: Na duhet pak më shumë tolerancë dhe mirëkuptim për palën tjetër. Kjo është ajo që kemi humbur për fat të keq nga të gjitha anët, sepse unë nuk shoh vetëm një, por tri ose katër anë. Sikur t’i jepnin njëri-tjetrit pak më shumë kohë.
Vesa Luma festoi 20 vjetorin e karrierës me një koncert të v...
Specialja: Shala duhet të paguajë 208 mijë euro për viktimat
MPB miraton vendimin për regjistrimin e fakteve të gjendjes ...
Diana shoqe me Veronën e Bucit, ndanë momente të lumtura së ...
Gresa dhe Xheneta komentojnë provokimin që ia bënë Drilonit
Kush po i bie mësysh Realit, lëndohen edhe Mbappe, Bellingha...