Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka folur për listën e masave kundër Kosovës që janë prezantuar nga Komisioni Evropian.
Ai në hyrje të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës e ka konfirmuar se kundër Kosovës është prezantuar një pako e masave.
Kurti para ministrave ka thënë se “me raste kemi qenë kritik ndaj Bashkimit Evropian”, por sipas tij, asnjëherë nuk janë treguar “as cinik e as të hidhëruar”.
Ai tutje ka thënë se kur në dhjetor ishte paraqitur aplikimi për anëtarësimin në BE ishte bërë me mendimin se Kosova meriton të jetë pjesë e saj.
“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen partnerin dhe aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate”.
“Kosova të tillë e ka Qeverinë, të tillë e ka popullin, së pari popullin e pastaj Qeverinë. Me raste kemi qenë kritik ndaj Bashkimit Evropian por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar nuk jemi as sot”.
“Kur në dhjetor e kemi dorëzuar aplikimin tonë për anëtarësim atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni. Të njëjtin besim e kemi edhe sot”, tha Kurti.
Drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
Ai tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës.
Ai, së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.Gjatë këtij debati, Lajçak u ka sqaruar eurodeputetëve hapat konkretë që BE-ja u ka propozuar Kosovës dhe Serbisë për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës.
Në këtë debat, shumica e deputetëve të PE-së kanë kritikuar qasjen e BE-së.
Sipas tyre, vetëm Kosova po qortohet dhe ndaj saj po merren masa, ndërkohë që asnjë masë konkrete nuk është përmendur për Serbinë.
Deputetët e PE-së kërkuan që të specifikohen masat edhe ndaj Serbisë, por as Lajçak dhe as Koopman nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje.
Dy zyrtarët evropianë, megjithatë përsëritën disa herë se “nga të dyja palët kërkohen veprime dhe hapa konkretë.
Ndërsa, këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka thënë se masat e shpallura ndaj Republikës së Kosovës “nuk janë vetëm skandal dhe dëmtojnë besueshmërinë dhe reputacionin e BE-së, por rrezikojnë edhe sigurinë e të gjithëve”./eo
Vrasja e të riut nga Peja në SHBA, reagon motra e viktimës: ...
“Nuk do të kemi mëshirë ndaj askujt”, Mickoski e quan akt ag...
“Prishtina gjithmonë do të jetë krah Tiranës”, Komuna publik...
Superliga rikthehet në aksion me ndeshje interesante
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Sallës së Edukatës ...
Ukraina thotë se ka goditur një depo nafte dhe një stacion r...