Autoritetet ukrainase arrestuan të mërkurën një person i cili akuzohet se ka ndihmuar Rusinë në kryerjen e një sulmi me raketë, që goditi të martën një piceri mjaft të frekuentuar në qytetin e Kramatorskut, në lindje të Ukrainës. Si pasojë të paktën 11 persona u vranë, mes tyre tre fëmijë të moshës 14 dhe 17 vjeç, ndërsa 61 të tjerë u plagosën. Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim për të mbijetuar apo viktima që nuk i mbijetuan sulmit.
Kramatorsku është një qytet në vijën e parë të frontit, ku ndodhet qendra rajonale e ushtrisë ukrainase. Piceria frekuentohej nga banorë të zonës, gazetarë, punonjës të ndihmës së shpejtë, e ushtarë.
Sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, personi i arrestuar, i seksit mashkull, punonjës i një kompanie lokale për transportin e gazit, dyshohet se kishte orientuar trupat ruse të godisnin restorantin.
Ai u kishte ofruar atyre pamje filmike dhe i kishte informuar mbi popullaritetin e restorantit, sipas një njoftimi për shtyp të Shërbimit të Sigurisë, të publikuar në rrjetin social ‘Telegram’. Por autoritetet ukrainase nuk dhanë asnjë provë mbi pretendimet e tyre.
Sulmet ndaj qyteteve të Ukrainës janë një taktikë që Rusia e ka përdorur shpesh gjatë 16 muajve të luftës.
Guvernatori i Doneskut Pavlo Kyrylenko tha se gjatë sulmit të së martës ndaj Krematorskut u dëmtuan gjithashtu 18 ndërtesa shumëkatëshe, 65 shtëpi, pesë shkolla, dy kopshte, një qendër tregtare, një ndërtesë administrative dhe një qendër argëtimi.
Sulmi ndaj këtij qyteti dhe ndaj të tjerave anembanë Ukrainës, janë tregues se Kremlini nuk po i lehtëson sulmet ajrore pavarësisht përballjes me një rebelim të armatosur jetëshkurtër, fundjavën e kaluar. Po kështu nuk ka pasur asnjë shtysë të dukshme ushtarake nga ana e Ukrainës, për të shfrytëzuar situatën. Megjithatë Kievi nuk ka dhënë informacione në lidhje me zhvillimet e fundit në fushën e betejës.
Fillimisht u mendua se sulmi ndaj Kramatorskut ishte kryer me një raketë tokë-ajër S-300, raketa që forcat ruse i kanë përdorur për sulme ndaj qyteteve, por autoritetet policore shtetërore njoftuan më vonë se ishte përdorur një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi ‘Iskander’.
Rusia ka këmbëngulur në mënyrë të vazhdueshme se nuk ka goditur objektiva civile, megjithëse gjatë sulmeve të saj ajrore janë vrarë shumë të tillë.
Qytetit i Kramatorskut ndodhet në rajonin e Donetskut, një nga katër provincat e Ukrainës që Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme shtatorin e kaluar, e që megjithatë nuk e kontrollon plotësisht./VOA
PDK’ja nesër mban konferencë për media
Alonso kërkon përqendrim maksimal për ndeshjen kundër Bochum
Arrestohet një person në Fushë-Kosovë, dyshohet për veprat ‘...
Udhëheqësit e BE-së diskutojnë për sigurinë gjatë takimit në...
Osmani takohet me Erdoganin në Budapest
E merr një mesazh nga fëmijët përmes dronit, përlotet Drenus...