Google ADS

Putin thotë se ushtria shpëtoi Rusinë nga një luftë civile

14:33 | 27 Qershor 2023
K.B

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se personeli ushtarak i përfshirë në luftën kundër rebelimit të shkurtër të grupit mercenar, Wagner, shpëtoi shtetin e tij nga një luftë civile.

“Ju mbrojtët rendin kushtetues, jetën, sigurinë dhe lirinë e qytetarëve tanë, shpëtuat atdheun tonë nga tronditjet, në fakt ndaluat një luftë civile”, u tha Putin ushtarëve të mbledhur në sheshin Sobornaja në Kremlin më 27 qershor.

Trupat e Wagner-it më 24 qershor morën nën kontroll qytetin jugperëndimor Roston-on-Don, dhe u nisën drejt Moskës, dhe më pas ndaluan marshimin e tyre rreth 200 kilometra larg nga kryeqyteti rus. Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, tha se ndalimi i marshimit u bë “për të parandaluar gjakderdhjen”.

Një avion i Wagner-it rrëzoi disa avionë ushtarakë gjatë marshimit të grupit mercenar drejt Moskës, duke vrarë të paktën dhjetë pilotë.

Putin hapi mbledhjen me personelin ushtarak duke mbajtur një minutë heshtje për të nderuar pilotët, që sipas tij, “përmbushën detyrat e tyre me nder”.

Putin po ashtu tha se njësitë ushtarake ruse dhe zyrtarët e institucioneve ligjzbatuese kanë siguruar të gjitha objektivët strategjikë dhe sigurinë e rajoneve që gjenden afër Ukrainës.

Pas takimit të Putinit me ushtarakët, shefi i Gardës Kombëtare ruse, Viktor Zolotov, u tha gazetarëve se “rebelimi i Wagner-it u përgatit dhe u inspirua nga shërbimet e posaçme perëndimore sepse ata e dinin këtë gjë dhe për të kanë folur disa javë [para se të ndodhte]”.

Ai nuk dha detaje të tjera për të mbështetur këtë pretendim.

Një ditë më herët, Prigozhin tha se marshimi i trupave të tij drejt Moskës nuk kishte për qëllim rrëzimin e Qeverisë ruse, por për të vënë në pah paaftësinë e udhëheqjes ushtarake ruse në luftën kundër Ukrainës.

Prigozhin nuk tregoi për vendndodhjen e tij apo nuk përmendi asnjë marrëveshje të ndërmjetësuar nga udhëheqësi bjellorus, Alyaksandr Lukashenka. Është raportuar se Lukashenka i ka ofruar atij strehim në Bjellorusi.

Më 27 qershor, Lukashenka tha se rebelimi tregoi se “situata në Rusi doli nga kontrolli”, duke shtuar se “nuk ka heronj në këtë situatë”.

As Lukashenka nuk tregoi nëse Prigozhin ndodhej në Bjellorusi.

Gjatë fundjavës, pas ndërprerjes së rebelimit, Kremlini tha se Lukashenka ndërmjetësoi një marrëveshje dhe se Prigozhin ishte nisur drejt Bjellorusisë. Putin në një adresim më 26 qershor, tha se pjesëtarët e Wagner-it që nuk janë përfshirë në rebelim, mund t’i bashkohen ushtrisë ruse ose të shkojnë në Bjellorusi./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme