Google ADS

Ramiz Merko reagon për herë të parë pas përcaktimit “persona non grata” nga SHBA

23:27 | 26 Qershor 2023
Orgesa Haziri

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko reagoi për herë të parë që pas shpalljes “persona non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, zoti Merko thotë se ka qenë transparent në punën e tij, por pa përmendur nëse ka kryer shkeljet për të cilat akuzohet.

Në statusin e tij në Facebook, zoti Merko ka nxjerrë një fotografi me ambasadoren amerikane në Shkup, Angela Aggeler, ndërsa shkruan:

“Që nga Presidenti Uillson e deri më sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë në çdo sfidë dhe bashkë kemi realizuar shume projekte të rëndësishme për vendin, qytetin dhe qytetarët e Strugës. Mbështetjen vijuese amerikane për vendin tonë dhe qytetarët e Strugës e mirëpres dhe e përkrah gjithmonë”.

Ndërsa ai thekson se do t’iu përgjigjet organeve të hetuesisë, nuk dihet nëse Prokuroria Themelore në Strugë ka kërkuar prej tij paraqitjen në hetuesi.

Organet e Rendit në Shkup megjithatë kanë njoftuar se janë gjashtë raste që kanë të bëjnë me zotin Merko, por pa dhënë hollësi lidhur me to. Ajo që është bërë publike është nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që ka denoncuar kreun e Strugës për blerjen pa tender të një makine luksoze të shtrenjtë nga buxheti i komunës në kohën kur llogaria bankare e Komunës së Strugës ishte e bllokuar; si dhe për parregullsi gjatë avancimeve të punonjësve në adminstratën komunale, përkatësisht të ketë bërë ngritje në detyrë pa pëlqimin e Këshllit Komunal.

Departamenti i Shtetit vlerëson se Ramiz Merko është përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftim thuhej se zoti Merko ka përvetësuar fonde në mënyrë të paligjshme dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut. Atij dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Ramiz Merko ka vendosur të ngrijë aktivitetet në strukturat partiake të Bashkimit Demokratik për Integrim, ku mes tjerash, bartë postin e njërit prej nënkryetarëve. Partia nuk i ka kërkuar atij dorëheqjen. Ndërkohë, kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski pret që Prokuroria të hedh dritë mbi rastin e Merkos, por as ai nuk kërkon largimin e tij nga posti.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase ka shtuar kërkesat për largimin e zotit Merko nga detyra. “Prokuroria Publike dhe institucionet e tjera, nëse hapin një rast, kanë të drejtë të kontrollojnë dokumentacionin e përgjithshëm të komunës së Strugës dhe urdhërojë marrjen e gjithçkaje që ligjërisht nuk i takon Merkos”, thekson VMRO-DPMNE./voa/

Të ngjashme