Agim Veliu e quan të manipuluar procesin zgjedhor të LDK-së në Podujevë

22:08 | 26 Qershor 2023
E.H

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas zgjedhjes së Ekrem Hysenit si kryetar dege në Podujevë.

Me anë të një postimi në Facebook, Veliu e ka quajtur këtë proces zgjedhor “manipulim” teksa ka hedhur akuza për ndikim në zgjedhjen e Hysenit.

“Kryesia, anëtarët e saj, kishin dalë nga mbledhja e fundit pa u informuar se kur dhe ku do të niste procesi zgjedhor”, ka shkruar Veliu.

“Dhe, jo më larg se të nesërmen, pas mbledhjes ku u suspendua kryesia, nisi procesi i manipulimeve me kuvende nëndegësh, me të ftuar specialë sipas listave të përpiluara nga grupi manipulues-kontrabandues i onkologut kancerogjen”, shkroi Veliu

Më tej, ai thotë se nuk është publikuar orari i mbajtjes së kuvendeve dhe nuk janë informuar kryetarët e nëndegëve se kur duhej të mbaheshin ato.

“Për aksionet e tyre të pista anëtarësia dhe ndonjë kryetar nëndege merrnin vesh të nesërmen, ose pas dy tri ditësh, kur dikush nëpër kafehane do t’i pyeste “prej kur filani i LVV-së, PDK-së a AAK-së qenka bërë LDK e me shkue delegat në degë?”, ka thënë mes tjerash ai.

Kujtojmë se Ekrem Hyseni është zgjedhur kryetar i LDK-së në Podujevë, në procesin e brendshëm zgjedhor, që ka filluar në nivel të Kosovës, në Lidhjen Demokratike të Kosovës./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme