Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke reaguar për lirimin e tre policëve të Kosovës të kidnapuar javë më parë nga Serbia, deklaroi se kthimi i tyre është një lajm i vonuar.
“Megjithatë, është lajm shumë i mirë sepse i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe i hap rrugë de-eskalimit e të dialogut”, deklaroi kryeministri shqiptar në një postim në llogarinë e tij në Twitter.
Rama tha se i vjen mirë mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës.
“Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyejt e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë”.
Duke treguar se sapo ka mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohet me Presidentin e Këshillit Europian, të cilin e cilësoi si mik të çmuar të Shqipërisë dhe rajonit, Charles Michel, kryeministri Rama tha se do t’i përcjell atij shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen e tij mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse, nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë, të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit.
Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithësesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi…
— Edi Rama (@ediramaal) June 26, 2023
“Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste”, tha Rama, duke shtuar se “ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin”.
Kryeministri shqiptar u shpreh se ndërkohë situata në veri të Kosovës degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë “e largqoftë një ‘Donbasi’ ballkanik mu në zemër të Europës”.
Ai tha më tej se kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht.
“Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare”.
Rama u shpreh se Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse sipas tij, do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë që kemi ndërtuar përgjatë këtyre viteve, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike.
“…Kjo, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit europian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Europës”.
Para ndeshjes me Rumaninë, delegacioni i FFK-së mirëpritet n...
Ramosaj: Doracaku për “Edukim seksual” i papranueshëm, s’mun...
Pjesëtarë të FSK-së po mësojnë në Shqipëri të pilotojnë me h...
Prokuroria jep detaje lidhur me arrestimin e një serbi i dys...
Celibashi: 1.7 miliardë lekë duhen vetëm për votim elektroni...
Lista për Familjen për doracakët e Edukatës Seksuale: Disa s...