Deputeti gjerman: Serbia duhet t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte policët kosovarë

16:34 | 24 Qershor 2023
Diellza Gashi

Deputeti gjerman, Thomas Hacker, në një intervistë për DW ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në veri dhe tensionimit të raporteve Kosovë-Serbi pas rastit të 3 policëve që po mbahen në burg në Serbi.

Ai thonë se kohët e fundit ka pasur një nivel të ri të përshkallëzimit të situatës.

“Fatkeqësisht, gjatë javëve dhe muajve të fundit, kemi parë herë pas here që njëra palë fajëson palën tjetër. Pas Krishtlindjeve kishim menduar se tensionet më të mëdha – bllokadat në veri të Kosovës – i kishim lënë pas. Tani po përballemi me tensione të reja. Policë rrëmbehen ose arrestohen, nga njëra anë thuhet se janë rrëmbyer në territorin e tyre, nga ana tjetër se janë kapur në territorin serb. Konfliktet sjellin me vete një dinamikë të rrezikshme që është pothuajse e pamundur të kontrollohet. Disa ushtarë të KFOR-it u plagosën rëndë gjatë protestave në fund të majit. Ky është një nivel i ri përshkallëzimi. Tani duhet të jetë vendimtare që të gjitha palët të kthehen në një proces normal të dialogut”, është shprehur deputeti gjerman.

Ai thotë se sulmet ndaj KFOR-it duhet të ndiqen penalisht dhe Serbia duhet të lirojë menjëherë dhe pa kushte tre policët e Kosovës.

“Sulmet ndaj trupave të KFOR-it duhet të ndiqen penalisht. Serbia duhet t’i lirojë tre policët kosovarë menjëherë dhe pa kushte. Besoj se vetëm atëherë do të mund të kthehemi në një fazë dialogu. Duhet të vazhdojmë rrugën e vetme të duhur atë të bisedimeve, të cilën Komisioni Evropian e ka treguar me propozimet e kompromisit. Duhet theksuar se Aleksandar Vuçiq është çdo gjë tjetër, por jo paqebërës në rajon. Ai prej vitesh e ka futur sistemin mediatik nën kontroll. Prej vitesh është lëkundur mes anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Rusisë. Ai duhet të marrë vendimin tani. Shumë qytetarë e shohin qartë të ardhmen e vendit të tyre në BE. Qeveria serbe dhe presidenti Vuçiq nuk mund ta injorojnë këtë fakt, shprehet ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme