Policia e Shtetit shpalosi masat e reja për sezonin turistik në vend.
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga njoftoi se në vendin tonë kanë hyrë mbi 2 milion qytetarë më shumë se një vit më parë.
“Në periudhën janar – 21 qershor 2023, janë përpunuar në hyrje dhe në dalje, 11 638 099 shtetas shqiptarë dhe të huaj ose rreth 2 500 000 shtetas më shumë se të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe 3 341 786 mjete shqiptare dhe të huaja”, tha ai.
Në kuadër të masave të marra nga policia për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik, Bizhga tha se, policia ka angazhuar 1700 policë në terren.
“Si rezultat i masave të marra gjatë 6-mujorit të parë, nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, në dëm të jetës së turistëve apo vizitorëve vendas dhe të huaj. Kanë ndodhur vetëm 2 tentativa të vjedhjes së sendeve personale të shtetasve të huaj, autorët e të cilave janë arrestuar”, tha ai.
Në 6 muajt e fundit, tha Bizhga, policia iu ka ardhur në ndihmë në të paktën 45 raste, policëve që ju rrezikohej jeta.
“Ndihma u ofrua në zona të vështira, në Theth, Valbonë, Kukës, Krujë, Vlorë, Himarë, Përmet e Berat, si dhe në zonat bregdetare të vendit”, shtoi Bizhga.
Në bashkëpunim me homologët e Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe të Malit të Zi policia ka marrë masa edhe për shmangien e radhëve në kufi, ka ngritur njësinë policore detare për monitorimin e ujërave si dhe ka kufizuar qarkullimin te mjeteve të rënda në rrugë. Po ashtu në zonat malore do të ketë shërbime shtesë të policisë, ndërsa plazhet do patrullohen nga punonjës policie me uniformë verore dhe me biçikleta.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Konferencë për shtyp, nga Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, mbi masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, përgjatë sezonit turistik 2023.
Përshëndetje,
Jam sot këtu, së bashku me Drejtorin e Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Drejtues i Lartë Rebani Jaupi dhe me Drejtorin e Departamentit për Kufirin e Migranionin Drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku, për të prezentuar masat e marra nga Policia e Shtetit, për sezonin turistik 2023.
Bazuar në një analizë të zhvilluar në fillim të vitit, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si dhe nisur nga numri i lartë i turistëve dhe i vizitorëve që vijnë në vendin tonë, Policia e Shtetit hartoi një plan të detajuar masash për të garantuar rendin dhe sigurinë në çdo skaj të vendit.
Në të gjitha pikat turistike, zonat muzeale, zonat bregdetare, zonat urbane e rurale, si dhe në pikat e kalimit kufitar, janë të planifikuar me shërbim 1700 punonjës të Policisë Rrugore, patrullave të përgjithshme, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Policisë Kriminale, policimit në komunitet, Policisë Kufitare, Policisë Alpine, Njësive të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Repartit Special RENEA, për t’iu shkuar në ndihmë turistëve të huaj, duke kryer edhe operacione kërkim-shpëtimi.
Si rezultat i masave të marra gjatë 6-mujorit të parë, nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, në dëm të jetës së turistëve apo vizitorëve vendas dhe të huaj. Në këtë periudhë kanë ndodhur vetëm 2 tentativa të vjedhjes së sendeve personale të shtetasve të huaj, autorët e të cilave janë arrestuar.
Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, në 45 raste, shërbimet e Policisë iu kanë shkuar në ndihmë turistëve që iu rrezikohej jeta për shkak të terrenit të vështirë, humbjes së rrugës apo dallgëve të detit. Ndihma u ofrua në zona të vështira, në Theth, Valbonë, Kukës, Krujë, Vlorë, Himarë, Përmet e Berat, si dhe në zonat bregdetare të vendit.
Janë marrë masa efektive edhe në pikat e kalimit kufitar, për t’iu ofruar turistëve, vizitorëve e qytetarëve, në hyrje e në dalje, shërbim cilësor dhe për eliminimin e radhëve të gjata. Këto masa janë marrë në bashkëpunim me homologët e Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe të Malit të Zi.
Në periudhën janar – 21 qershor 2023, janë përpunuar në hyrje dhe në dalje, 11 638 099 shtetas shqiptarë dhe të huaj ose rreth 2 500 000 shtetas më shumë se të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe 3 341 786 mjete shqiptare dhe të huaja.
Për rritjen e sigurisë detare, liqenore dhe në lumenj, Policia Kufitare, në bashkëpunim me strukturat vendore të policisë, ka ushtruar kontrolle nga toka dhe nga deti, me qëllim sekuestrimin e mjeteve lundruese që operonin në kundërshtim me ligjin dhe për lokalizimin dhe sekuestrimin e mjeteve lundruese të fshehura që mund të përdoreshin për trafiqe të paligjshme.
Nga muaji janar deri sot, janë kontrolluar 675 mjete lundruese, Jet Ski, varka, motovarka, gomone, skafe, peshkarexha, anije turistike dhe mjete lundruese që shërbejnë për transport të mallrave.
Janë bllokuar e ndëshkuar me masa administrative, që variojnë nga 10 000 deri në 100 000 lekë të rinj, 76 mjete lundurese, pasi operonin në kundërshtim me ligjin.
Janë marrë masa edhe për goditjen e krimeve kufitare, në pikat e kalimit kufitar, në kufirin e gjelbër dhe në hapësirën detare. Vlen të përmenden rastet e shumta të sekuestrimit të sasive të mëdha të heroinës dhe të kokainës, të goditjes së kontrabandës së naftës dhe të mallrave të tjera, trafikimit të armëve të zjarrit, sekuestrimit të shumave të mëdha të valutave, mosdeklarimit të të hollave në kufi, goditjes së tentativave për trafikim të qenieve njerëzore, dhënies ndihmë emigrantëve, falsifikimit të dokuementeve dhe kapjes së shtetasve të shpallur në kërkim.
Kanë filluar procedime penale dhe janë ndëshkuar me masa administrative, 104 shtetas për prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe për ndotje akustike.
Parandalimi i aksidenteve rrugore ka qenë në fokus të punës së Policisë Rrugore në të gjithë vendin.
Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me mjete të teknologjisë së lartë, kanë intensifikuar monitorimin e akseve rrugore, në prag të sezonit turistik, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për të lehtësuar lëvizjen e përdoruesve të rrugës.
Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 1100 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Janë pezulluar 4284 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, për drejtim të mjetit nën ndikimin e pijeve alkoolike, si dhe për qarkullim në sens të kundërt me lëvizjen.
Gjithashtu gjatë kësaj periudhe, në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si dhe në kuadër të luftës kundër paligjshmërive, strukturat e Policisë së Shtetit kanë kryer 538 operacione policore;
Janë finalizuar 41 operacione, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar;
Janë parandaluar 38 ngjarje kriminale, kryesisht krime kundër personit, përshkallëzim konfliktesh dhe krime ekonomike;
Janë sekuestruar rreth 62 kilogramë heroinë, rreth 11 kilogramë kokainë, 790 kilogramë kanabis, 173 armë zjarri, 3 mina me telekomandë, rreth 300 kilogramë lëndë plasëse dhe sasi të konsiderueshme municioni luftarak;
Janë kryer 109 operacione për goditjen e dhënies ndihmë, emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror;
Janë kryer 67 operacione për goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, si rezultat i të cilave janë asgjësuar 74 767 fidanë dhe bimë narkotike, si dhe 3 296 fara kanabisi.
Duke marrë parasysh se përgjatë sezonit veror, në drejtim të vendit tonë ka dyndje të pushuesve nga e gjithë bota, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar me masa shtesë, me qëllim krijimin dhe garantimin e kushteve sa më të mira të sigurisë, për shtetasit shqiptarë dhe të huaj, në zonat turistike, për të gjithë periudhën e sezonit turistik veror, në pikat e kalimit kufitar dhe në akset kryesore rrugore, për qarkullimin sa më normal të automjeteve, për parandalimin e kriminalitetit në qendrat e banuara, për zbatimin e orarit të ndalimit të muzikës, si dhe për menaxhimin e zhurmave në qendrat urbane dhe në zonat turistike.
Për garantimin e rendit e sigurisë në zona malore, janë planifikuar shërbime shtesë të Policisë, në zonat turistike: Theth, Valbonë, Lurë, Voskopojë dhe Dardhë. Në vijim, në Theth dhe në Valbonë do të ngrihen stacione policie provizore.
Referuar eksperiencës së viteve të kaluara, gjatë këtij sezoni turistik janë planifikuar në zonat e plazheve, punonjës policie me uniformë verore dhe me biçikleta, të cilët do të patrullojnë në këto zona për parandalimin e krimit, forcimin e policimit komunitar, për t’iu ardhur në ndihmë pushuesve në nevojë, si dhe për mbikëqyrjen e vijës bregdetare.
Në funksion të sigurisë detare dhe sigurisë së pushuesve në plazhe, tashmë është ngritur dhe funksionon Njësia Policore Detare, e cila krahas shërbimeve të tjera të Policisë, për menaxhimin e sezonit turistik 2023, do të monitorojë të gjithë hapësirën ujore të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet një flote të përbërë nga 35 mjete lundruese Jet Ski dhe nëpërmjet një trupe policore të përbërë prej 105 punonjësish policie të trajnuar e certifikuar për drejtimin e mjeteve lundruese.
Aktualisht, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të policive vendore, vijojnë kontrollet për mjetet lundruese, kryesisht argëtuese dhe ato që përdoren për turizëm ditor (varka artizanale) në lumenj dhe liqene, për pajisjen me dokumentacion, si dhe për përmbushjen e kushteve teknike, me qëllim sigurinë e jetës së qytetarëve që i përdorin këto mjete lundruese.
Masa shtesë janë parashikuar edhe në drejtim të planifikimit të burimeve njerëzore shtesë në pikat e kalimit kufitar, me qëllim rritjen e kontrollit në kufirin e gjelbër, parandalimin e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, parandalimin e krimeve kufitare, si dhe forcimin e kontrollit në kufirin blu.
Gjithashtu, ka filluar kufizimi i qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave, në ditët e pushimeve javore dhe të festave zyrtare. Drejtoritë vendore të Policisë kanë filluar zbatimin e detyrimeve për kufizimin e lëvizjes së këtyre automjeteve, që prej datës 15 qershor dhe ky kufizim do të vijojë deri më 15 shtator 2023.
Në lidhje me monitorimin për parandalimin e ndotjes akustike dhe parandalimin e gjenerimit të zhurmave tej normave të lejuara, nga subjekte të ndryshme, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash të veçantë, i cili është i integruar në planin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për masat shtesë në kuadër të sezonit veror.
Për mjediset e hapura, orari i lejimit të veprimtarive për ditët e premte dhe të shtunë të jetë nga ora 19:00-24:00, ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19:00-23:30, sipas normave të lejuara të zhurmës, të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët nr. 8, të datës 27.11.2007.
Në këtë kuadër Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.
Me qëllim shkëmbimin e praktikave policore, mbështetjen për parandalimin e ngjarjeve kriminale që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, forcimin e sigurisë rrugore, si dhe për luftën kundër veprave penale me karakter ndërkufitar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në zbatim të Marrëveshjeve së Qeverive të Republikës së Shqipërisë me atë të Malit të Zi dhe me atë të Kosovës, kanë nënshkruar 2 protokolle bashkëpunimi të Policisë së Shtetit me Policinë e Kosovës dhe me Policinë e Malit të Zi, të cilat do të zbatohen gjatë sezonit turistik 2023.
Masa janë marrë edhe për parandalimin e krimeve mjedisore, kryesisht të ndërtimeve pa leje dhe të ndotjeve të tjera të mjedisit. Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IMT-të e bashkive respektive, po kryejnë kontrolle jo vetëm në zonat bregdetare dhe në ato turistike, por në të gjithë territorin.
Me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve te Policia, është kërkuar nga punonjësit e Policisë së Shtetit, që të zbatojnë kërkesat e Kodit të Etikës në komunikim me shtetasit shqiptarë dhe të huaj, si dhe të jenë të papajtueshëm jo vetëm me sjellje joetike, por edhe me veprime të tjera të cilat do të cenonin imazhin e Policisë së Shtetit te qytetarët, apo më keq akoma, do të përbënin akte korruptive dhe të dënueshme penalisht.
Së fundi, Policia e Shtetit garanton qytetarët se është e vendosur dhe e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për qyetarët, vizitorët dhe turistët. Në këtë kuadër fton çdo qytetar që të denoncojë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencës 112, çdo paligjshmëri apo shqetësim që do të ketë, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm, profesional dhe të paanshëm.
Ju faleminderit!/tch
Dianës i vjen motra në shtëpi, i thotë të dal nga shtëpia se...
Sjelljet e Xhenetës në shtëpi – Vëllai i Madh e çon automati...
Nesër Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal në Pro...
Pllaka më e vjetër prej guri e mbishkruar me Urdhërimet e Bi...
Muriqi: I ka munguar Kosovës një lojtar si Jashari
Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç