Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kujtuar Serbisë vrasjen e vëllëzërve Bytyçi nga Serbia.
Kurti përmes një postimi në “Facebook”, tha se ata u vranë nga shteti serb duke kërkuar drejtësi vetëm sepse kishin qenë ushtarë të UÇK-së dhe sepse ishin qytetarë amerikanë.
“Fare pak ditë pas çlirimit të Kosovës, më 23 qershor të vitit 1999, tre vëllezër shqiptarë kishin ndërmarrë një nismë shumë njerëzore: të përcjellnin një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbi, që po shkonte drejt Kralevës. Por gjatë këtij udhëtimi, ata të tre e kaluan paqëllimshëm kufirin, për çka u arrestuan nga policia serbe dhe u dënuan nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgosje. Kur po përfundonin dënimin, tre vëllezërit Bytyqi, Ylli, Agroni dhe Mehmeti u dërguan në një bazë trajnimi të policisë serbe, ku u vranë me plumba pas koke dhe ua zhdukën gjurmët”, ka shkruar Kurti. “Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka thënë se sot kur janë bërë 24 vite nga dita e arrestimit të tre vëllezërve Bytyqi dhe që nga atëherë, autoritetet shtetërore të Serbisë, asnjëherë nuk kanë treguar vullnet dhe gatishmëri për hetime të drejta dhe të plota të këtij rasti.
“Vëllezërit Bytyqi janë vrarë dhe ky krim është fshehur nga po ata që kanë kryer vrasje dhe fshehur krime lufte dhe kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë. Pavarësisht dëshmive dhe dëshmitarëve që ndër vite janë shfaqur pjesërisht edhe në publik dhe përmes të cilëve është e mundur të zbardhet plotësisht ky krim, ende nuk ka drejtësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi”, ka thënë Kurti. “Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi kishin lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jetonin në New York, para se në prill të vitit 1999, të ktheheshin në Kosovë, duke iu bashkuar njësitit të vullnetarëve “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ylli, Agroni dhe Mehmeti u vranë nga shteti i Serbisë vetëm sepse kishin qenë ushtarë të UÇK-së dhe sepse ishin qytetarë amerikanë”, tha ai.
Sipas tij, në tetor të vitit 2019 dhe në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësueve e Kongresit Amerikan, ka miratuar dy rezoluta, me anë të të cilave, ShBA-ja i ka kërkuar veprime konkrete Serbisë dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, për të nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë krim.
“Ashtu siç e ruajmë nderimin me lavdi për luftëtarët e lirisë Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqin, do të vazhdojmë të angazhohemi për të arritur drejtësi për ta, deri në fund!”, ka përfunduar shkrimin Kurti./Arbresh.info/
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...