Google ADS

Osmani shpreh keqardhje për refuzimin e LDK-së e PDK-së

20:04 | 22 Qershor 2023
K.B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur keqardhje që LDK-ja dhe PDK-ja kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë qëndrim Osmani e ka shprehur në lidhje me refuzimin e këtyre dy partive për t’u takuar me të.

Në një komunikatë për media, Osmani ka vlerësuar se kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve për koordinim ndërinstitucional, ka ftuar sot në takim kryetarët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës. Përveç takimeve të vazhdueshme me krerët e institucioneve të vendit: Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministren, Ministren e Punëve të Jashtme si dhe ministrat e dikastereve të tjera, Presidentja e ka parë të nevojshme që të mbajë komunikim të rregullt edhe me partitë opozitare, nëpërmjet ftesave të vazhdueshme për takime e ngjarje të ndryshme. Në këtë kuadër, pas letrës së Kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj dhe diskutimeve me krerët e institucioneve, Presidentja ka ftuar liderët opozitarë fillimisht në takime të ndara, meqë disa nga krerët e institucioneve këto ditë nuk ishin në Kosovë. Ajo ndërkaq ka paralajmëruar edhe ftesën për një takim të përbashkët të të gjithë liderëve në një moment kur të gjithë të jenë në Kosovë”, ka shkruar Presidenca. “Në letrën e saj, Presidentja ka vlerësuar se bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve dhe partive politike janë thelbësore për t’i përballuar sfidat aktuale dhe për të punuar së bashku drejt arritjes së synimeve të përbashkëta që përfshijnë mbrojtjen e tërësisë territoriale, sovranitetit dhe kushtetutshmërisë si dhe fuqizimin ndërkombëtar të Republikës, sikurse edhe në përmbushjen e prioritetit tonë shtetëror, anëtarësimin në NATO dhe BE. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, sot paradite ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me të cilin ka biseduar për koordinimin e vazhdueshëm ndërinstitucional. Ndërkaq pasdite, Presidentja Osmani ka pritur në takim Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Ramush Haradinaj, me të cilin ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend”.

Osmani ka theksuar se në përputhje me Kushtetutën do të vazhdojë të angazhohet në përfaqësimin e unitetit qytetar.

“Presidentja ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka ritheksuar, se në përputhje me Kushtetutën do të vazhdojë të angazhohet në përfaqësimin e unitetit qytetar, mbrojtjen e kushtetutës, ruajtjen dhe fuqizimin e aleancave strategjike, sikurse edhe krijimin e një klime konstruktive për t’i adresuar sfidat dhe çështjet e rëndësishme në Republikën e Kosovës”, kanë thënë nga presidenca. “Sipas Presidentes Osmani, kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar. Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se dera e zyrës së saj vazhdon të jetë e hapur për liderë institucionalë dhe parti politike, në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror”.

Sot gjatë  ditës presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim të gjithë liderët e partive kryesore politike në vend, megjithatë, kjo ftesë iu refuzua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Në një njoftim në Facebook, Krasniqi ka thënë se e ka refuzuar këtë ftesë për shkak të neglizhencës dhe mungesës së përgjegjësisë së vetë Presidentes në situatën e fundit shqetësuese në veri të vendit.

“Për më tepër, është zhgënjyese dhe e paarsyeshme heshtja e juaj, si Komandante Supreme, për përjashtimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nga stërvitja ushtarake e NATO-s “*Defender Europe 23″”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe LDK-ja me në krye Lumir Abdixhikun i ka thënë “JO” ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim me liderët e partive kryesore politike në vend.

Në letrën që Abdixhiku ia ktheu Presidentes thuhet se pa marrë ajo pozicion kritik ndaj popullizmit të kryeministrit Kurti, LDK nuk mund ta pranojë ftesën e saj për takim.

“Fatkeqësisht, ne nuk e kemi parë ende këtë pozicionim nga ana juaj; dhe në rrethanat e tanishme Kosovës i duhet jo një zë i mesit, por një zë i qartë, që dërgon vetëm në një drejtim; atë euro-atlantik, në koordinim të ngushtë me aleatët tanë, në ballafaqim të suksesshëm me qëllimet agresive të Serbisë. Si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jem i gatshëm t’ju takoj, në një rast tjetër, nëse për qëllim të vetëm kemi artikulimin e qartë dhe publik të përkrahjes së pa rezervë ndaj aspiratës euroatlantike të institucioneve tona, dhe refuzimin e politikave përplasëse e izoluese të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në letrën e Abdixhikut./Arbresh.info/

lexo edhe:

Haradinaj pas takimit me Osmanin: I kërkova presidentes që ta kthejë besimin e aleatëve tanë

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme