Google ADS

Liderët e BE: Kosovë-Serbi të zbatojnë marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve

20:30 | 21 Qershor 2023
K.B

Situata në Kosovë dhe procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jenë tema që do të trajtohen javën e ardhshme nga ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe nga liderët evropianë gjatë samiti të bllokut në fund të javës.

Kështu paralajmëruan burimet diplomatike në BE, që kanë shprehur shqetësim të madh për tensionet e fundit në veriun e Kosovës , të banuar me shumicë serbe – të cilat, sipas tyre, kanë vënë në rrezik edhe procesin e dialogut për normalizim që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Në këto takime, sipas burimeve diplomatike, pritet që Kosovës dhe Serbisë t’u bëhet thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe rikthimi në dialog. Po ashtu, dy shteteve pritet t’u tërhiqet vërejtja edhe për pasojat me të cilat mund të përballen nëse nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar tekstin e draftit i cili është përgatitur për t’u miratuar në takimin e liderëve të BE-së. Këshilli Evropian do të kërkojë dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit shkurt si dhe Aneksit të zbatimit të saj, të arritur në Ohër në muajin mars.

“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian”, thuhet në tekst.

“Si hap i radhës, vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe zbatimi i shpejt i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe zbatimi i aneksit janë të domosdoshme. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, thuhet në këtë tekst.

Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve kërkon nga palët që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Po ashtu, kjo marrëveshje kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme