Google ADS

Dëgjohen zhurma nënujore gjatë kërkimit për nëndetësen e zhdukur

08:37 | 21 Qershor 2023
Diellza Gashi

Një avion i mbikëqyrjes ushtarake kanadeze ka regjistruar zhurma nënujore gjatë kërkimit masiv në një pjesë të largët të Oqeanit Atlantik për një nëndetëse, e cila u zhduk përderisa po i dërgonte pesë persona te rrënojat e Titanikut.

Por, në deklaratën e Rojës Bregdetare të SHBA-së nuk specifikohet se çfarë mund të kenë qenë zhurmat e dëgjuara.

Megjithatë, kjo deklaratë jep një fije shprese për personat në nëndetësen e zhdukur, pasi që atyre vlerësohet se u ka mbetur oksigjen vetëm edhe për një ditë, nëse nëndetësja është ende në funksion.

Ndërkohë, mbetet ende e paqartë se si ekipet mund të arrijnë te nëndetësja e humbur, që mund të jetë deri në 12.500 metra nën sipërfaqen e ujit.

Të humbur në bordin e anijes janë piloti Stockton Rush, drejtori ekzekutiv i kompanisë që drejton ekspeditën. Në mesin e pasagjerëve të tij janë një aventurier britanik, dy anëtarë të një familje biznesi pakistaneze dhe një ekspert i Titanikut.

Roja Bregdetare shkroi në Twitter se një avion kanadez kishte “zbuluar zhurma nënujore në zonën e kërkimit”. Kërkuesit më pas dërguan një robot nënujor në atë zonë për kërkime. Sidoqoftë, këto kërkime “dhanë rezultate negative, por ato po vazhdojnë”.

“Të dhënat nga avioni P-3 janë ndarë me ekspertët e marinës amerikane për analiza të mëtejshme, të cilat do të merren parasysh në planet e ardhshme të kërkimit”, tha Roja Bregdetare.

Nëndetësja e ka humbur komunikimin me operatorët të dielën, kur ka qenë në zonën jugore të Njufaundllendit në Kanada.

Kompania OceanGate që mundëson këtë udhëtim, u kërkon pasagjerëve 250.000 dollarë për t’i parë nga afër pjesët e fundosura të anijes së famshme.

Pjesëmarrësit udhëtojnë rreth 595 kilometra me një anije të madhe, përmbi Titanik, dhe më pas e nisin një zhytje tetëorëshe me nëndetësen Titan, për të arritur në thellësi./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme