Google ADS

Provimi i Maturës Shtetërore mbahet këtë të shtunë

19:40 | 20 Qershor 2023
E.H

Provimi i Maturës shtetërore do të mbahet këtë të shtunë, me 24 qershor, me fillim nga ora 10:00

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se janë realizuar të gjitha përgatitjet e duhura, në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat, për organizimin e këtij provimi.

Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës, ndërkaq në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë.

“Çfarëdo parregullsie eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI. Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi”, thuhet në njoftimin e MAShTI-t.

Në këtë provim ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit dhe kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit.

“Testi do të organizohet në 178 qendra të testimit. Këtë vit, në sallën e testimit (klasat) përveç administruesve do të jetë edhe një mbikëqyrës (student absolvent ose i nivelit master). Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit”, thuhet tutje në këtë njoftim.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më 3 korrik./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme