Google ADS

Ronaldos po i bashkohen yjet në Al Nassr

08:33 | 20 Qershor 2023
Diellza Gashi

Arabia Saudite është në qendër të transfereve.

Petro-dollarët dhe projekti në rritje i Saudi Pro League ka bërë që sauditët të jenë në ballinat e mediave më të mëdha të botës dhe në krejt rrjetet sociale.

Cristiano Ronaldo ishte ylli i parë i madh që përfundoi në vendin nga Lindja e Mesme, ndërsa rrugën e tij e ndoqi Karim Benzema, por edhe yje të tjerë që pritet të zbarkojnë në tokën arabe.

Shumë shpejt, “CR7” do t’i bashkëngjitet Hakim Ziyech, i cili është drejt largimit nga Chelsea, shkruan “Gazeta Express”.

Me gjasë, këtë javë do të mbyllet marrëveshja e Al Nassr me futbollistin ofanziv maroken.

Jo vetëm kaq: shumë shpejtë do të arrijë një ofertë zyrtare edhe për Marcelo Brozovicin, të cilin Interi nuk e konsideron të pashitshëm.

Gjithashtu, Ronaldos në ekip mund t’i bashkohen edhe Wilfried Zaha, i cili mund të largohet nga Crystal Palace dhe Roberto Firmino, i cili në ditët në vazhdim do të lirohet nga kontrata që e lidh me Liverpoolin.

Nuk përjashtohet edhe arritja e një portieri, ndërsa ndër mundësitë më të mëdha është Asmir Begovic.

Ndërkaq, në mesfushë, Al Nassr e pëlqen edhe Saul Niguezin e Atletico Madridit, ndërsa në sulm ky klub e ëndërron Heung Min Sonin e Tottenhamit.

Edhe klubet tjera të Arabisë Saudite janë vënë në gjah për ta përforcuar ekipin me lojtarë të njohur dhe të mëdhenj, shkruan “Gazeta Express”.

Arabia Saudite synon ta forcojë ligën e futbollit dhe të bëhet vend i futbollit, në mënyrë që ta ketë më të lehtë që ta fitojë të drejtën e organizimit të Kampionatit Botëror në vitin 2030.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme