Edhe gjatë kohës që ishte president, Donald Trump nuk kishte autoritetin ligjor për të deklasifikuar një dokument për armët bërthamore të Shteteve të Bashkuara, për mbajtjen e paligjshme të të cilit, ndaj tij tashmë janë ngritur akuza penale.
Ky është mendimi i ekspertëve, që kundërshtojnë në këtë mënyrë deklaratat e ish-presidentit.
Dokumenti sekret, i radhitur i nëntëmbëdhjeti në listën e akuzave ndaj zotit Trump për vendosjen në rrezik të sigurisë kombëtare, sipas Ligjit për Energjinë Bërthamore mund të deklasifikohet vetëm nëpërmjet një procesi ku duhet të jenë të përfshirë Departamenti i Energjisë dhe Departamenti i Mbrojtjes.
Për këtë arsye, thonë ekspertët, dokumenti bërthamor është unikal mes 31 dokumentave të radhitura në akuzë, pasi deklasifikimi i dokumentave të tjerë mund të bëhet me urdhër ekzekutiv.
“Pretendimi se ai (ish-Presidenti Trump) mund ta kishte deklasifikuar nuk vlen në rastin e informacionit për armët bërthamore, pasi nuk ishte klasifikuar me një urdhër ekzekutiv, por me ligj”, tha Steven Aftergood, ekspert për sekretet qeveritare në Federatën e Shkencëtarëve Bërthamorë.
Statusi i veçantë i informacionit që ka lidhje me fushën bërthamore dëmton më tej atë që ekspertët ligjorë e konsiderojnë një mbrojtje të dobët të përqëndruar tek deklasifikimi.
Pa ofruar fakte, ish-Presidenti Trump ka pretenduar se i ka deklasifikuar dokumentat përpara se t’i nxirrte nga Shtëpia e Bardhë.
Duket se prokurorët do të argumentojnë se deklasifikimi nuk ka ndonjë peshë, pasi ish-Presidenti Trump është akuzuar sipas Ligjit për Spiunazhin, që ka përparësi mbi klasifikimin dhe që e parashikon si vepër penale mbajtjen e paautorizuar të “informacionit për mbrojtjen kombëtare”, një term i gjerë që përfshin sekretet që mund të ndihmonin armiqtë e vendit.
Dokumenti 19 ka shënimin “FRD” (Formerly Restricted Data – Të dhëna dikur të kufizuara), një klasifikim që u vendoset informacioneve sekrete që kanë lidhje me përdorimin e armëve bërthamore.
Në akuzë thuhet se dokumenti nuk mban datë dhe se “ka të bëjë me arsenalin bërthamor të Shteteve të Bashkuara”./VOA/
Ana tregon planet e saj pas Big Brother
Çeku liston 250 investime të kryera dhe në realizim në infra...
Konsiderohej si “financier” i grupit te Habilajve, gjykata l...
Elon Musk e quan kancelarin Scholz të Gjermanisë ‘budalla’
Gresa Hoti pozon pa pikë grimi
Ndodh mes dy banoreve, puthen në buzë Gresa dhe Drenusha