Lista Serbe ka njoftuar se ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq dhe anëtari i Kryesisë së Listës Serbe Slavko Simiq, sot së bashku me avokatin e tij Nebojsha Vlajiq kanë bërë padi të përbashkët kundër gazetarit të Arbresh.info, Pleurat Salihu.
Kjo padi vjen sepse sipas tyre, “pa asnjë provë” Salihu është deklaruar për sulmin në Leposaviq më 16 qershor.
Pleurat Salihu gazetar në portalin Arbresh.info, i cili gjatë raportimit kishte pësuar lëndime të rënda nga sulmi i personave të maskuar, të shtunën kishte publikuar emrin dhe fotografi të personit i cili sipas tij, u ka dhënë urdhër “grupeve kriminale serbe” kur u sulmuan mediat në Leposaviq.
Fillimisht, kishte thënë se bëhet fjalë për një person tjetër, por që më pas Salihu kishte thënë se “e ka ngatërruar”.
Lista Serbe ka deklaruar se padia do të përfshijë edhe ministrin Elbert Krasniqi “për akuza të rreme dhe të pabaza” duke i etiketikuar protestuesit si “udhëheqës të grupeve kriminale.”
“Përfaqësuesit e komunës së Leposaviqit në emër të Listës Serbe dënuan qartë dhe pa mëdyshje çdo sulm ndaj gazetarëve dhe theksuan se një trajtim i tillë është i papranueshëm dhe se ata gjithmonë dhe në çdo rast janë udhëhequr ekskluzivisht nga parimet e tilla. Populli serb në veri të Kosovës dhe Metohisë po vuan prej muajsh represionin dhe terrorin e përditshëm të Albin Kurtit dhe brutalitetin e pjesëtarëve të njësive të tij speciale të policisë së Kosovës të cilët ngacmojnë brutalisht popullin paqësor serb, duke provokuar tensione dhe duke arrestuar serbët pa asnjë provë dhe fajësi, si në rastin e Dushan Obrenoviqit, Rados Petroviqit, Milun Milenkoviqit, Nemanja Vllashkoviqit dhe Dalibor Spasiqit të cilët vuajnë pa asnjë faj”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Sipas Listes Serbe, Todiq dhe Simiq kanë “negociuar vazhdimisht me përfaqësuesit e KFOR-it pikërisht për të qetësuar tensionet në terren të ngritura nga veprimet e njëanshme dhe provokimet e vazhdueshme të Prishtinës”.
Në anën tjetër, edhe gazetari Salihu ka paralajmëruar padi ndaj Slavko Simiq nga Lista Serbe.
Salihu ka publikuar disa fotografi në të cilat pretendon sesi është bërë koordinimi për t’i sulmuar gazetarët të premten.
“Sa të kam jetë kam me të njekë me padi, kurrë nuk ta fali. Jo për plagën time, por për plagën që ia keni shkaktuar fjalës së lirë, raportimit të drejtë dhe urdhrin që e ke dhënë për sulmin ndaj mediave”, ka shkruar ai në Facebook.
“Këtu shihesh duke u koordinuar. 2. Tre personave që komunikove me ta kur tu afruan dhe të thanë serbisht, ‘Imamo uruzie’. Dhe pastaj shkuan tek rrugica afër kafiterisë, që ju I thoni ‘kafana’. 3. Kur, me tu larguar vetura e ministrit Krasniqi, ke bërtit, ‘Udrite na mediama’, ti Sllavko Simiç. A ky ish-kryetari I Leposaviqit ka dhanë urdhër që të sulmohen vetura e ministrit. Për sot, kjo. Shihemi në Gjyq. I gjallë nuk kam me të lëshu duke të bërë padi, derisa drejtësia të vije në vend”, ka theksuar ai.
Të premten në Leposaviq gazetarët janë sulmuar nga protestuesit që ishin të mbledhur.
Gazetari Salhiu ishte në mesin e gazetarëve që pësoi lëndime nga ky sulm.
Policia e Kosovës ka njoftuar se nëntë gazetarë në Leposaviq janë sulmuar dhe se disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.
Sipas Policisë, ekipeve të mediave iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit, thuhet se iu është grabitur një telefon celular. Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve javëve të fundit në 4 komunat veriore./Arbresh.info/
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Dy të lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...
Mirlind Daku shkëlqen me dy gola në fitoren e Rubin Kazanit ...