Pilotët e Forcave Ajrore të Ukrainës thonë se janë të etur për të mësuar se si t’i përdorin avionët luftarakë të modelit F-16 në luftën kundër agresorit rus.
Një koalicion vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe tetë vende evropiane, po bashkëpunojnë për të përshpejtuar trajnimin e pilotëve ukrainas.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, bisedoi me disa pilotë ukrainas të sprovuar në fushën e betejes lidhur me pritshmëritë e tyre,
Që nga fillimi i agresionit rus, piloti ukrainas Rostyslav Lazarenko ka kryer më shumë se 330 misione ajrore.
Ditën e parë të luftës ai përfundoi misionin e tij të parë.
“Ishim përballë së panjohurës. Objektivi ishte një autokolonë me 700 mjetete ushtarake që vinin nga Krimea. Pasi hodhëm planet në letër dhe po shkonim drejt avionëve, piloti partner Sasha më tha se kishte frikë. I thashë se edhe unë kisha frikë por duhet të veprojmë. I thashë se kush do të luftonte nëse nuk luftojmë ne. Ky është besimi ynë”, tregon për Zërin e Amerikës piloti Rostyslav Lazarenko.
Deri mëngjesin e 24 shkurtit të vitit 2022, piloti Lazarenko dhe kolegu i tij kishin shkatërruar kolonën më të madhe ushtarake ruse nga Krimea. Por piloti Sasha vdiq kur avioni i tij u rrëzua.
Piloti Lazarenko fluturoi përmes një re flakësh, por mbijetoi. Oficeri 28 vjeçar vazhdon të luftojë pothuajse çdo ditë kundër agresorëve rusë.
Ai thotë se pilotët ukrainas janë të etur të mësojnë të fluturojnë avionin F-16, që ka aftësi të larta, dhe të mbrojnë vendin e tyre.
“Duke njohur ekipin tim dhe ukrainasit, e di se kur ata të shkojnë për t’u stërvitur, ata do të bëjnë gjithçka që të përvetësojnë njohuritë për avionët e rinj sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të kthehen në front”, thotë Nënkoloneli Rostyslav Lazarenko.
Piloti Olexiy, i cili nuk e dha mbiemrin për arsye sigurie, po lufton krah për krah me kolegun e tij Lazarenko.
“Avionët F-16 do të mposhtin avantazhet e avionëve rusë Su35 sepse avionët F-16 rrisin distancën e angazhimit. Pra do të kemi aftësitë për të shkatërruar armikun në territoret e pushtuara ukrainase”.
Pilotëve ukrainas u duhet të kapërcejnë pengesat gjuhësore, por Olexiy thotë se pilotët ukrainas tashmë dinë shumë për avionët F-16.
“Sistemet e avionëve, fluturimet, taktikat, teknikat, diçka që nuk është problem për pilotët tanë. Instruktorët ukrainas na mësojnë se duhet të bëhesh një me avionin, është e njëta gjë që u mësohet pilotëve në gjuhën angleze”, thotë për Zërin e Amerikës piloti Olexiy.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yurii Ihnat thotë se pilotët ukrainas po trajnohen me simulatorë fluturimi.
“Avionët F-16 kanë ekrane me prekje. Pra duhet kuptuar funksionimi, ashtu sikurse një fëmijë mëson të luajë një lojë në kompjuter. Fëmijët mësojnë hap pas hapi. Pra duhet pak kohë për t’u përshtatur”.
Zëdhënësi thotë se pilotët ukrainas janë të gatshëm.
“Janë përzgjedhur dhjetëra pilotë që do të shkojnë të trajnohen në vende të ndryshme. Po ashtu edhe inxhinierët e aviacionit për mirëmbajtjen. Janë pilotë që dinë anglisht, të rinjë dhe të motivuar”.
Zoti Ihnat thotë se pilotëve ukrainas u duhen rreth katër muaj trajnim për avionin F-16, dy muaj më pak se sa mendohej më parë. Edhe pse ka shumë për të bërë, pilotët ukrainas janë të etur për të përmbushur pritshmëritë e mëdha me të cilat përballen në Ukrainë dhe më gjerë./VOA/
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...
Sveçla: Grupet terroriste sponsorizohen nga Serbia