Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas nderimit që ka bërë në shtëpinë Muze të Prof. Ukshin Hotit, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Universiteti “Ukshin Hoti”, në Prizren, në shënimin e 80- vjetorit të lindjes të tij.
Fjalën e tij kryeministri Kurti e ka nisur duke ua kujtuar të gjithë të pranishmëve se profesor Ukshin Hoti është ai i cili ka shpenzuar diç më shumë se 13 vite në universitet, dhe pothuaj po aq edhe në burg. Në fillesë pra është ndërgjegjja e universitetit nën ndëshkim, por në jetë të jetëve do të jetë ndërgjegjja e ndëshkuar e universitetit.
Ai tha se Ukshin Hoti, me tërësinë e qëndrimit të tij teorik dhe veprimit praktik e bëri të pamundur dinakërinë e opinionit që ngjall frikë mbi mendimin, e bëri të pamundur universitetin si funksion vetëfrikësimi. “Ai e ka vendosur një vulë nga e cila zor se mund të shpëtojë e ardhmja e universiteteve tona dhe sa mirë që është kështu. Ky gjest i tij i përket atij lloji besëlidhjesh mes individualiteteve të dijes dhe vendeve të dijes. Po e them këtë gjë në Prizren, pikërisht në vendin ku është vulosur Besëlidhja e Lidhja para 145 vitesh”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se ne na mbetet detyra historike dhe politike t’i japim një themelim besëlidhjes së universitetit multidisiplinar me autonominë e inteligjencës kolektive.
Duke theksuar se Universiteti është vendi i shumëzimit të disiplinave dhe i përbashkimit të disiplinave, i kombinimit mes krijimtarive të tyre, kryeministri tha se në këtë pikë personaliteti i Ukshin Hotit është shembulli i qartë i subjektit individual ku shprehet natyra kolektive e inteligjencës. Dashuri për letërsi, krijimtari në marrëdhënie ndërkombëtare dhe histori, prodhimtari në gazetari.
Më tej, kryeministri Kurti, ka vlerësuar lartë figurën e profesor Hotit, derisa ka kërkuar nga çdonjëri, në çdo disiplinë qoftë, të studiojë tekstet e Ukshinit.
“Dua të them me këtë se Rilindja është një proces që vazhdon. Rilindja vijon gjithnjë në formën e albanologjisë politike, pra si një qendërzim finalist i universiteteve tona. Dhe rilindasit na kanë sjellë këtu, Ukshini që nuk është mes nesh e midis tyre, dhe çdo formë dëshmore e dijes dhe veprimit na kanë sjellë në një gjendje të re nga mund të zotërojmë një krijimtari shumë herë më të lirë se në kohën e tyre”, u shpreh kryeministri Kurti./Arbresh.info/
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030