Vendosja e sundimit të ligjit në veri të vendit, duket se po i kushton shumë Kosovës.
Sanksionet nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja nuk po mjaftojnë që vendi ynë të ndëshkohet edhe më shumë.
Një lloj ‘sanksioni’ po konsiderohet që i ka vendos Shqipëria Kosovës pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive që ishte paraparë të mbahet më 14 qershor në Gjakovë.
Edhe pse të gjitha përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes ishin organizuar e madje edhe përfunduar, anulimi i saj u vendos nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vetëm një ditë para se të mbahej.
Raci: Anulimi i mbledhjes ishte gabim, Kosova ka lidershipin e saj
Analisti politik, Gazmir Raci për portalin Arbresh.info ka deklaruar se raportet e Kosovës me Shqipërinë nuk janë vetëm diplomatike.
Ai theksoi se Kosova me lidershipin e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike, ka përgjegjësi për rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
“Ishte gabim anulimi i mbledhjes se dy qeveri. Raportet Shqipëri-Kosovë nuk janë raporte vetëm diplomatike ose te dy shteteve fqinje. Dialogu Kosove-Serbi nuk duhet të ndikoje në këto raporte sepse Kosova ka lidershipin e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike, që ka përgjegjësi për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s dhe rregullimin e marrëdhënieve edhe me Serbinë në kuadër te bashkëpunimit rajonal dhe të fqinjësisë së mirë”, tha Raci.
Në qoftë se Rama nuk do ta mbështes Kosovën, sipas Racit është më mirë të mos prononcohet.
“Nuk jam ithtar i etiketimit të politikaneve me epitete. Kjo është e qarte. Nëse Rama nuk do t’i ofroje mbështetje Kosovës, të paktën mund të mos prononcohet fare. Pse Rusia, Millorad Dodak etj, asnjëherë të vetme nuk del kundër Vuçiqit dhe Serbisë“, tha Raci.
Megjithatë, ai theksoi se duhet të kemi një qëndrim karshi sfidave globale, si dhe potencoi se nuk jemi shtet që luajmë me dy karta siç luan Serbia.
“Shqipëria duhet te sillet si shtet ashtu siç është silluar në vitet e okupimit serb, çlirimit, lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Jemi një komb dhe duhet të kemi edhe një qëndrim karshi sfidave globale. Kombi shqiptar nuk ka alternative tjetër përpos aleancës strategjike veri-atlantike dhe për këtë jemi te sinqertë dhe nuk luajmë me dy karta ashtu siç luan Serbia”, tha në fund Raci.
Maliqi: Kosova nuk mund të ec para pa Shqipërinë
Ndryshe nga Raci, mendon analistja politike, Aferdita Maliqi.
Ajo në një prononcim për Arbresh.info ka deklaruar se anulimi i mbledhjes së dy qeverive ishte një alarm i dhënë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama për kryeministrin kosovar, Albin Kurtin.
“Anulimi i mbledhjes së përbashkët nuk do ta quaja sanksion por një alarm i dhënë nga Rama për Kurtin për rrugën që ka marre. Të dy shtetet, duhet të kenë një koordinim, e jo te flasin nga zyrat me gjuhë te ashpër. Kosova nuk mund te ece pa Shqipërinë”, tha Maliqi.
Sipas Maliqi, sanksionet që po paralajmërohen nga ndërkombëtarët janë të dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj.
“Që nga përfundimi i luftës, Kosova kurrë s’ka qenë në këtë pozicion që është në raport me ndërkombëtaret. Tensioni i raporteve me ndërkombëtaret e sidomos me ShBA-në, është shqetësuese. Sanksionet që po paralajmërohen dhe janë shumë të dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, ka thënë Maliqi.
Ramadani: Nuk janë sanksione, janë masa – është diçka më e butë.
Analisti politik, Shkodran Ramadani masat BE-së ndaj Kosovës tregon që gjërat mund të përkeqësohen edhe më shumë.
Ai për portalin Arbresh.info theksoi se nëse vazhdon e njëjta qasje e Kosovës, atëherë do të avancohen edhe sanksionet.
“BE-ja e tha që nuk janë sanksione, por janë masa është diçka më e butë se sa sanksionet së paku në gjuhë. Gjithsesi tregon që gjerat mund të përkeqësohen më shumë sepse tash për tash po marrin masa por nëse vazhdon e njëjta qasje e Kosovës, atëherë do të avancohet në sanksione sepse as ata nuk duan me i djeg gjitha kartat e veta sepse vendosja e sanksioneve prish urën e komunikimit dhe është e vështirë me negociu. Pastaj gjërat munden me u përshkallëzu për keq”, tha Ramadani.
Ramadani përmendi edhe arrestimin e tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe në kufi me Serbinë, dhe sipas tij tash Kosova e ka të vështirë të ankohet te BE-ja dhe SHBA-ja.
“Tash pas arrestimit të policëve të Kosovës, Kosova e ka të vështirë të ankohet tek BE-ja dhe SHBA-ja për ti liruar ata, kështu që ata do të mbeten në duar e Serbisë e cila nuk do të i liroj normalisht pa një kompromis, pa një marrëveshje me Kosovën”, tha ai.
Ramadani: Kosova e ka pranuar themelimin e Asociacionit në Marrëveshjen e Ohrit
Sipas Ramadanit, situata aktuale nuk po e lejon Kosovën të shoh problemin e vërtet që siç thotë ai është pranimi i Asociacionit në Marrëveshjen e Ohrit.
“Zhvillimet e fundit nuk po lejojnë me pa problemin e vërtetë. E problemi i vërtet është që në Marrëveshje të Ohrit, Kosova jo vetëm që ka pranuar themelimin e Asociacionit pa njohje, po në planin e zbatimit ka pranuar që marrëveshja të filloj të zbatohet përmes nisjes së procesit të themelimit të Asociacionit. E tash Kosova po don me i ik kësaj kronologjie, po don me i ik përgjegjësive që i ka marr vetë përsipër. E tash BE-ja dhe SHBA-ka nuk po dojn me u ndërru ajo kronologji edhe barra për implementimin e marrëveshjes ka ra mbi Kosovë”, tha tutje Ramadani.
Tutje Ramadani shtoi se anulimi i mbledhjes së dy qeveritë Kosovë-Shqipëri është ftohje e raporteve.
“Absolutisht nuk është lajm i mirë sepse është një ftohje e raporteve. Sanksion nuk do ta quaja sepse thjesht ndërpritet bashkëpunimi, por gjithsesi është lajm i keq për shkak se Shqipëria është shteti ma i afërt që kemi në. Një kohë i kemi thënë shteti amë tash është shtet vëlla ose motër. Është aleati më i madh i rëndësishëm dhe nuk bënë me i ftohë raportet”, tha ai.
Megjithatë, Ramadani theksoi se Rama nuk ka bërë mirë që ka dorëzuar draft-statusin për Asociacion
“Rama nuk është dashtë ta bëjë atë lëvizje me draftin për asociacion. Sepse Kosova nuk pret nga Edi Rama, nga Shqipëria që të jetë një ndërmjetësuese, por të jetë në anën e Kosovës. Më mirë do të ishte të mos bënte fare veprim”, përfundoi prononcimin Ramadani.
Në mbledhjen e dy qeverive, atë shqiptare dhe kosovare, e paraparë të mbahet me 14 qershor në Gjakovë, pikërisht në ditën e çlirimit të këtij qyteti, ka sjellë reagime të shumta.
Anulimi i kësaj mbledhje sipas Edi Ramës, ndodhi për shkak të kundërshtimeve të ashpëra të Bashkësisë Ndërkombëtarë për qëndrimet e Kosovës lidhur me situatën në veri të vendit.
“Të përbashkuar në Gjakovë”, ishte slogani i mbledhjes së përbashkët.
Kujtojmë se ishin planifikuar që të nënshkruhet 10 marrëveshje në këtë mbledhje.
Por më e rëndësishmja cilësohej ajo e njohjes së ndërsjellë të profesionit të avokatit dhe ndërmjetësit për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve.
Në mbledhjet e mbajtura deri më tani mes dy qeverive janë nënshkruar 41 marrëveshje bilaterale, ndërministrore dhe ndërinstitucionale.
Nuk dihet se kur do të mbahet mbledhja e radhës mes Kosovës dhe Shqipërisë që tashmë është bërë traditë./Arbresh.info/Ejona Hyseni/
Me flamujt kuq e zi në duar/ Mijëra shqiptarë presin Ramën n...
Guardiola pas humbjes nga Tottenham: Ne do të ngritëmi
Izraeli thotë se një rabin është vrarë në Emiratet e Bashkua...
Edi dhe Xheneta diskutojnë në lavanderi, ndërsa Gjesti i për...
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”/ Deputeti gjerman: Bisedime...
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...