Kurti – Borrellit: S’e shkeli ligjin për konsideratë të askujt

10:11 | 15 Qershor 2023
Emir Abduramani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur emisarit të BE-së, Josep Borrell, i cili pat kërkuar koordinim me BE-në për arrestimin e kriminelit serb, Miilun Milenkoviq – Llune.

Kurti në konferencë për medie tha se është e pakuptimte që të diskutohet me ndërkombëtarët për arrestimin e një krimineli që ka shkelur ligjin.

“Ne i bindemi kushtetutës dhe ligjit, nuk duam t’ia shkelim askujt të drejtat mirëpo në një republikë demokratike për të arrestuar një kriminel nuk ka kuptim që të diskutohet shumë me dikënd, sepse as unë nuk e di kur arrestohet një kriminel, kjo është çështje e hetuesisë, Policisë dhe Prokurorisë, kjo sepse ne jemi Republikë demokratike”, ka thënë Kurti.

Para gazetarëve, Kurti tha se Policia e Kosovës respekton ligjin si në veri ashtu edhe në jug të vendit, ashtu siç bëjnë edhe vendet e BE-së.

Andaj për të, s’është dashur të ketë koordinim në mënyrë që të ketë “sundim të ligjit e jo sundim me ligjin”.

“Edhe për arrestimin e Llunes kur e keni marrë vesh ju e kam marrë edhe unë. Këto nuk janë punë e imja, por unë e mbështes fuqishëm sundimin e ligjit dhe arrestimin e kriminelëve. Policia ka mbajtur trajnime në vendet perëndimore se si duhet arrestuar një kriminel, ata e respektojnë fuqishëm kushtetutën e tyre dhe unë nuk mund të bëj pazare me kushtetutshmërinë e vendit. Policia e zbaton ligjin si në veri dhe në jug. Nuk ka kuptim që për sundim të ligjit të ketë koordinim e diskutim për arrestimet që duhen bërë, pa folurit ligji, sepse kjo më pas i bie sundim me ligjin e jo sundim i ligjit”, tha ai.

Ai shprehi gatishmërinë e tij për rikthim në dialog.

“Unë kam shprehur gatishmërinë për dialog dhe kur të caktohet takim i unë jam i gatshëm. Nga konsideratat e tjerëve nuk mund të shndërrohem në shkelës të ligjit. Kosova ka ligj dhe kushtetutë dhe unë e respektoj atë, sepse pa to, nuk do të isha as unë kryeministër”, përfundoi kryeministri./Arbresh.info

Të ngjashme