Në Shqipëri, ish kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i është drejtuar Gjykatës së posaçme të Apelit për të kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë arrest me burg, dhe lirimin e tij.
Zoti Dako, një emër i njohur i Partisë socialiste, u arrestua javën e shkuar nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në dy raste.
Gjykata e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, konfirmoi më pas arrestin e tij me burg.
Ish kryebashkiaku, i cili ka mohuar akuzat, kishte kërkuar lirimin e tij, kundrejt garancive pasurore.
Hetimet ndaj tij nisën pas denoncimit të banorëve të një pallati i cili u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019.
Sipas hetimeve, ndërtimi i tij ishte kryer në shkelje të shumë procedurave.
Një hetim i dytë, lidhet me pagesën e një projekti për një shëtitore në Durrës, vlera e së cilës rezulton sipas akuzës, 10 herë më e lartë se sa duhet të ishte sipas përllogaritjeve të përcaktuara në një vendim qeverie.
Avokati i zotit Dako ka deklaruar se masa e arrestit nuk është proporcionale me veprën penale që i atribuohet ish kryebashkiakut të Durrësit, i cili sipas tij, nuk mund të mbahet përgjegjës për vendime që janë marrë nga struktura që i ka patur në varësi, apo nga organe kolegjiale.
Përveç zotit Dako, Prokuroria lëshoi dhe 9 urdhëra të tjerë arresti, për zyrtarë dhe ish zyrtarë të Bashkisë, apo dhe pronarin e kompanisë që ka kryer ndërtimin e pallatit Fiqiri Farruku. Tre prej tyre janë ende në kërkim. Ndërkohë Gjykata zbuti javën e shkuar masat për tre të akuzuar, duke vendosur “arrest në shtëpi” për dy prej tyre dhe “detyrim paraqitje” për një tjetër./VOA/
Ana dhe Kevini nuk e dinë kush e ka shpallur Pavarësinë e Ko...
Ruben Amorim merr vendimin e parë – bllokon largimin e yllit...
Mike Johnson: Programi i Trump-it nuk përfshin dëbimin e emi...
Gjesti dhe Xheneta sqarohen, diskutojnë gjerë e gjatë
Një qytetar nga Podujeva dorëzon në polici para të gjetura
Dita Botërore e foshnjeve të lindura para kohe – Një p...