Ish-presidenti amerikan Donald Trump mbajti qëndrim sfidues pasi deklaroi të martën në një sallë gjyqi në Florida se ishte i pafajshëm.
Kandidati republikan për president po përballet me 37 akuza për krime federale, përfshirë mbajtje të paligjshme të dokumentave të klasifikuar dhe pengim të drejtësisë.
Pas seancës ku iu ngritën akuzat zyrtarisht ndaj të cilave ai deklaroi pafajësinë, ish-presidenti Donald Trump ndaloi tek një restorant kuban në Miami për të përshëndetur mbështetësit e tij.
Zoti Trump, ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza federale foli më pas nga klubi i tij i golfit në Bedminster të Nju Xhersit, aty ku sipas akuzës ai ka mbajtur një pjesë të dokumenteve sekrete.
“Sot u bëmë dëshmitarë të abuzimit më të keq dhe të neveritshëm me pushtetin në historinë e vendit. Shumë e trishtueshme: një president i korruptuar arreston kundërshtarin e tij kryesor politik me akuza të rreme dhe të sajuara ”, tha ai.
Qindra mbështetës dhe kundërshtarë të tij u mblodhën para gjykatës së Majamit, ku zotit Trump iu paraqitën 37 akuza, përfshirë për mbajtje të paligjshme të më shumë se 100 dokumenteve të klasifikuara, disa prej të cilave për planet bërthamore dhe të mbrojtjes të SHBA-së, dhe konspiracion për të penguar drejtësinë.
FBI-ja i mori dokumentet nga shtëpia e tij në Florida, Mar-a-Lago, gushtin e kaluar.
Prokurori i posaçëm Jack Smith kryeson hetimin federal.
“Përkushtimi i vendit tonë ndaj sundimit e ligjit është një shembull për botën. Ligjet tona zbatohen njëlloj për të gjithë”, u shpreh ai.
James Sample, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Hofstra, është dakord.
“Është një fitore për sundimin e ligjit. Është një hap drejt llogaridhënies. Nëse një qytetar i zakonshëm do të kishte bërë ndonjë nga veprimet e përmendura në aktakuzën federale shumë të detajuar dhe të plotë, do të ishte burgosur menjëherë. Donald Trump madje po trajtohet me shumë kujdes nga Departamenti i Drejtësisë”, thotë ai.
Prokurori Smith tha se po kërkon një “gjykim të shpejtë”, por mund të kalojnë muaj para se të fillojë gjyqi.
Zoti Trump kryeson në garën mes republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Ish-prokurori federal Neama Rahmani thotë se ish-presidenti me siguri do të preferonte që procesi të shtyhej deri pas zgjedhjeve.
“Asnjë president në detyrë nuk mund të ndiqet penalisht, kështu që nëse ai fiton, çështja bie. Edhe nëse fiton një republikan tjetër si DeSantis, gjasat janë që do ta shkarkonte prokurorin e posaçëm Jack Smith, kështu që mendoj se vonesa është në favor të ish-presidentit në këtë rast. Sigurisht, nëse gjyqi mbahet para zgjedhjeve, mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.”
Një sondazh i kompanisë Ipsos dhe televizionit ABC News tregon se publiku mbetet i ndarë lidhur me akuzat ndaj zotit Trump.
“Nuk mendoj se pozita e zotit Trump në krye të kandidatëve republikanë preket nga aktakuza. Por mendoj se kjo do të ndikojë tek shanset për të fituar zgjedhjet e përgjithshme nëse merr kandidaturën republikane, duke dëmtuar pozitën e tij me të pavarurit”, thotë zëdhënësi i kompanisë Ipsus, Chris Jackson.
47 për qind e amerikanëve besojnë se akuzat janë të motivuara politikisht, sipas sondazhit.
Nëse vërtetohet fajësia e zotit Trump, ai mund të përballet me dënim me burg./VOA/
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...
Ylli ndërprenë bashkëpunimin me tre lojtarë
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i realizuan stërvitje të...
Mbahet takimi i 257-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës, m...
Dabiqaj heroi i Dritës, “Intelektualët” shkëputen në tabelë
Detaje nga takimi i Kurtit me kryetarin e Kuvendit të RMV-së...