Google ADS

Osmani në PE ndan historinë e Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit e grave të tjera të fuqishme të Kosovës

13:16 | 14 Qershor 2023
K.B

Presidentja Vjosa Osmani sot ka mbajtur fjalimin e saj para eurodeputetëve në PE.

Ajo gjatë fjalimit ka rrëfyer historinë e Kosovës nëpërmjet fateve personale të Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit, Blerta Bashollit, Egzon Sylës, Hana Qerimit dhe gazetares ukrainase Liudmyla Makei, të cilët janë pjesë e delegacionit në këtë adresim.

Osmani tha se historia e vërtetë e Kosovës është ajo e njerëzve të saj.

“Historinë e Kosovës e dini të gjithë. Disa prej jush e kanë vizituar, disa e kanë studiuar, disa prej jush kanë luajtur rol në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Por historia e vërtetë e Kosovës, siç them gjithmonë, është historia e njerëzve të saj.

Një vend dhe një demokraci nuk është më e fortë për shkak të ndonjë individi apo lideri, apo ndonjë reforme të caktuar. Forca e një vendi vjen nga forca kolektive e popullit të tij.

Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot”, tha Osmani ndër të tjera teksa vazhdoi të tregojë historinë e Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit e të të tjerëve.

“Me mua sot është një delegacion që është përfaqësimi i vërtetë i Republikës sonë të dashur – përfaqëson historinë e saj të rëndë dhe sfiduese, si dhe frymën e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe vendosmërisë që është një premtim për një të ardhme më të mirë.

Sot me mua është Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo ishte vetëm 16 vjeçe, kur forcat e Millosheviqit e hoqën nga krahët e nënës së saj në shtëpinë e saj për ta çuar në një vend që do të shënonte momentin më të errët dhe orën më të errët të jetës së saj. Atë ditë, ajo u mbajt nën kërcënimin e armëve dhe u përdhunua. Dhe më pas, u përdhunua përsëri.

Por ishte Vasfija ajo që e kuptoi se plagët thellohen në heshtje. Kështu që ajo e ngriti zërin. Ajo e ngriti zërin për drejtësi dhe kundër stigmës dhe arriti të mbledhë një popull të tërë pas vetes. Ajo jo vetëm që ia kushtoi jetën drejtësisë, por sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë.

Ajo është një heroinë e vërtetë e gjallë, do të thoni. Dhe, nuk mund të pajtohesha më shumë. Por, atëherë më duhet t’ju them se ne jemi të rrethuar nga heroina të panumërta në baza të përditshme në vendin tim, përfshirë Fahrije Hotin. Ajo vjen nga fshati Krushë, ku pothuajse të gjithë burrat u vranë gjatë luftës, duke përfshirë edhe shumë të zhdukur me dhunë. Në mesin e tyre edhe sot e kësaj dite është edhe bashkëshorti i Fahrijes.

E mbetur vetëm, e pandihmë dhe në kërkim të bashkëshortit të saj të dashur, Fahrija mund të kishte zgjedhur të dorëzohej, por ajo zgjodhi të luftonte. Ajo e ktheu pikëllimin në motivim; ajo e ktheu dhimbjen në vendosmëri. Sot, Fahrije Hoti zotëron Kooperativa Krusha, një vend fuqizimi që nisi zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e grave përmes angazhimit të tyre aktiv në fuqinë punëtore në një fshat në Kosovë. Por, më e rëndësishmja, Kooperativa Krusha u kthye në një vend shprese, duke eksportuar tashmë ajvarin e saj të famshëm dhe produkte të tjera në të gjithë Evropën.

Veprimet e saj jo vetëm që shpëtuan jetën e qindra grave në fshatin e saj, por historia e saj frymëzoi edhe filmin debutues të regjisores sonë brilante Blerta Basholli, filmi ‘Hive’”, u shpreh Osmani ndër të tjera./Arbresh.info/

Lexo edhe:

Osmani për ngjarjet në Veri: T’i kapërcejmë me partneritete e aleanca

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme