Google ADS

KOMF dënon ashpër incidentin për sulmin seksual ndaj të miturës në shkollë

11:06 | 14 Qershor 2023
K.B

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF shpreh shqetësimin dhe brengën lidhur me abuzimet, sulmet dhe ngacmimet e vazhdueshme seksuale ndaj nxënësve në institucionet arsimore në Kosovë, mungesën e reagimit dhe indiferencën e gjithë sistemit ndaj kësaj dukurie konsistente e cila mbetet e pa trajtuar dhe pa parandaluar.

Komunikata për media nga KOMF.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF shpreh shqetësimin dhe brengën lidhur me abuzimet, sulmet dhe ngacmimet e vazhdueshme seksuale ndaj nxënësve në institucionet arsimore në Kosovë, mungesën e reagimit dhe indiferencën e gjithë sistemit ndaj kësaj dukurie konsistente e cila mbetet e pa trajtuar dhe pa parandaluar.

KOMF bën thirrje drejt shkollave dhe Drejtorive Komunale të Arsimit:

– Të punohet në parandalimin e rasteve të abuzimit dhe në rastet kur konstatohen të kenë ndodhur ato, të njëjtat të denoncohen menjëherë në organet përkatëse;

– Krijimi i ambientit miqësor dhe përkrahës brenda shkollës, në mënyrë që problemi i abuzimit të mos trajtohet vetëm me qasje reaktive, por të ketë koherencë të plotë në zhvillimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me parandalim, reagim dhe raportim;

– Nxitja e raportimit të rasteve të abuzimit brenda shkollave, për trajtimin e rasteve me kohë dhe parandalimin e përkeqësimin të situatave të abuzimit;

– Edukimi i fëmijëve për abuzimin seksual, rreziqet, pasojat, raportimin dhe institucionet e mandatuara për mbrojtjen e fëmijëve;

– Prezantimi me zyrat përkatëse ku abuzimi mund të raportohet, dhënien e të gjitha kontakteve për të pasur qasje në këto sisteme të referimit dhe garantimi mbi ruajtjen e konfidencialitetit;

– Ngritja e shërbimeve profesionale në kuadër të shkollave (psikologë, pedagogë, punëtorë social), ku ndër të tjera do të kishin rol edhe në vetëdijesimin e fëmijëve për raportimin dhe kërkimin e ndihmës si dhe ofrimin e mbështetjes psiko-sociale për viktimat.

KOMF bën thirrje drejt Ministrisë së Arsimit:

– Të miratojë Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve në institucione arsimore;

– Të angazhojë inspektorët e arsimit në mënyrë që të jenë me aktiv në terren për identifikimin dhe parandalimin e fenomenit të ngacmimit, sulmit dhe abuzimeve seksuale.

KOMF bën thirrje drejt mediave:

– Të raportojnë në mënyrë profesionale mbi rastet a abuzimeve duke patur konsideratë primare mbrojtjen e viktimës, mos stigmatizimin; të mos dëmtojnë dhe mos cenojnë edhe më shumë viktimën, duke shmangur çdo ri viktimizim të mundshëm gjatë raportimit;

– Të mbrojnë të dhënat dhe të ruajnë konfidencialitetin e viktimës gjatë raportimit në media (emri i komunës, fshatit, lagjes, shkollës, familjarëve, inicialet apo çfarëdo të dhëne tjetër që çon në zbulim të identitetit).

KOMF bën thirrje drejt organeve të rendit dhe drejtësisë:

– Ashpërsimin e dënimeve që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave penale kundër integritetit seksual brenda limiteve të përcaktuara me Kodin Penal;

– Krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre tek fëmijët, sipas modeleve ekzistuese në hapësirën Europiane, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës;

– Përgjegjësi penale nga profesionistët e mandatuar për mbrojtje të fëmijës, në dështimi gjatë ushtrimit të obligimit ligjor për trajtimin efikas të këtyre rasteve.

KOMF rithekson se ngacmimet dhe sulmet seksuale ndaj nxënësve / fëmijëve, janë të papranueshme dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, si vijon:

– Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në dispozitat për të drejtat e fëmijëve, shprehimisht parasheh që secili fëmijë gëzon të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe shfrytëzimi;

– Kodi Penal të Republikës së Kosovës, Kapitulli i Veprave Penale kundër Integritetit Seksual;

– Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës parasheh mbrojtjen e fëmijës nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës)./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme