Messi: “Topi i Artë” nuk është më i rëndësishëm për mua

16:24 | 13 Qershor 2023
Orgesa Haziri

Lionel Messi pretendon se, me shtatë “Topa të Artë” në emër të tij, ky çmim nuk është më i rëndësishëm për të.

Ikona argjentinase, së bashku me rivalin e përjetshëm Cristiano Ronaldo, ka dominuar skenën globale gjatë një karriere mjaft të jashtëzakonshme.

Suksesi në finalet e Kupës së Botës 2022 në Katar, teksa më në fund shtoi nderimet globale në koleksionin e tij të trofeve,  e ka bërë Messin favorit për të fituar edhe një tjetër “Top të Artë”.

Megjithatë, Messi do të ishte i lumtur të lejonte dikë tjetër ta merrte atë çmim prestigjioz, duke i thënë Titan Sports në Kinë kur u pyet nëse këto vlerësime janë ende një prioritet kryesor:

“A ka rëndësi Topi i Artë për mua? Jo, nuk është më e rëndësishme për mua. E kam thënë gjithmonë se për mua nuk kanë rëndësi çmimet individuale, por më të rëndësishmet janë ato kolektive. Çmimi më i rëndësishëm për momentin është Kupa e Botës, çmimi më i madh për mua”.

Argjentinasi do të filloj me një aventurë të re në nivel klubi në vitin 2023, ndërsa ai përgatitet të lidhet me skuadrën e MLS, Inter Miami./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme