Google ADS

Putin viziton ushtarët rusë të plagosur në Ukrainë

23:24 | 12 Qershor 2023
Orgesa Haziri

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vizituar ushtarët rusë, të plagosur gjatë luftimeve në Ukrainë.

Ky është një takim i radhë i liderit rus me ushtarët rusë, teksa Kievi po vazhdon kundërofensivën e saj kundër forcave të Moskës pas intensifikimit të luftimeve gjatë fundjavës.

Lideri rus vizitoi trupat në Qendrën Mjekësore Ushtararake Vishnevski, në periferi të Moskës.

Vizita u zhvillua më 12 qershor në “Ditën e Rusisë”, që është një festë patriotike në Rusi.

Kremlini ka publikuar imazhe të kësaj vizite të Putinit, i cili ishte i shoqëruar nga ministri i tij i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Derisa po i vendoste një medalje një prej ushtarëve të plagosur, lideri rus i tha: “Ju përgëzoj”.

“I kam shërbyer Rusisë”, citohet të ketë thënë ky ushtarak.

Kjo vizitë duket se është organizuar nën masa të rrepta sigurie.

Agjencia ruse e lajmeve, TASS, raportoi se Putin e ka dekoruar komandantin e një toge me medaljen më të lartë ushtarake që jep Rusia.

Më shumë se një vit që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, Putin rrallë takon ushtarët që shërbejnë në këtë luftë.

Ai po ashtu kishte vizituar ushtarët e plagosur rusë në maj të vitit të kaluar.

Rusia dhe Ukraina po ashtu nuk japin shifra për ushtarët e vrarë apo të plagosur.

Megjithatë, analistët ushtarakë perëndimorë kanë vlerësuar se të dyja palët kanë humbur mijëra ushtarë në luftime./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme