Google ADS

Arrestohet dhe më pas lihet në gjendje të lirë ish-udhëheqësja skoceze Nicola Sturgeon

21:41 | 11 Qershor 2023
Orgesa Haziri

Ish-Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, e cila dominoi politikën në Skoci për gati një dekadë, u arrestua dhe u mor në pyetje për disa orë të dielën nga policia, në kuadrin e një hetimi për financimin e Partisë Nacionaliste Skoceze që është pro-pavarësisë nga Britania.

Policia skoceze njoftoi se një grua 52-vjeçare ishte ndaluar të dielën në mëngjes “si e dyshuar në lidhje me një hetim që po bëhet për fondet dhe financat e Partisë Nacionaliste Skoceze”.

Ajo u “lirua pa ndonjë akuzë në varësi të hetimeve të mëtejshme” rreth gjashtë orë më vonë, tha policia.

Policia në Britani nuk identifikon të dyshuarën deri në momentin e ngritjes së akuzave.

Një zëdhënës i zonjës Sturgeon tha se ish-ministrja e parë ndoqi vullnetarisht një intervistë me policinë dhe se do të bashkëpunonte me hetimin.

Partia Nacionaliste Skoceze (SNP) tha se ka “bashkëpunuar plotësisht me hetimin dhe se do të vazhdojë të bashkëpunojë.

Megjithatë nuk është e përshtatshme t’i trajtojmë këto çështje ndërkohë që vazhdon hetimi”.

Policia skoceze hapi një hetim në vitin 2021 se si u shpenzuan mbi 754 mijë dollarë që ishin caktuar për fushatën e pavarësisë së Skocisë.

Dy ish-zyrtarë të SNP-së, Colin Beattie, që kishte detyrën e menaxhimit të finacave dhe Peter Murrell, që ishte drejtues ekzekutiv, u arrestuan më parë dhe u morën në pyetje në kuadrin e hetimit.

Ashtu si zonja Sturgeon, të dy u lanë të lirë, në varësi të hetimeve në vazhdim.

Zoti Murrel është bashkëshorti i zonjës Sturgeon, dhe policia bastisi shtëpinë e tyre në Glasgow pas arrestimit të tij në muajin prill.

Zonja Sturgeon dha papritur dorëheqjen në shkurt, pas tetë vitesh si udhëheqëse e Partisë Nacionaliste Skoceze dhe si ministre e parë e qeverisë gjysëm-autonome të Skocisë.

Në atë kohë, ajo tha se e dinte me mendje dhe me zemër se ishte koha e duhur për të, për partinë dhe për vendin që t’u krijonte hapësirë të tjerëve.

Si udhëheqësja e parë grua e qeverisë me kompetenca të deleguara të Skocisë, zonja Sturgeon udhëhoqi partinë e saj drejt dominimit në politikën skoceze dhe e ndryshoi atë nga një parti me përgjithësisht një tematikë, në një forcë dominuese qeverisëse me qëndrime liberale sociale.

Ajo e udhëhoqi partinë e saj gjatë tre zgjedhjeve për gjithë Britaninë dhe dy zgjedhjeve skoceze, dhe e drejtoi Skocinë gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit, duke fituar vlerësime për stilin e saj të qartë dhe të matur të komunikimit.

Megjithatë, zonja Sturgeon u largua nga detyra mes ndasive brenda partisë SNP dhe pa arritur objektivin e saj kryesor: pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar për vendin me 5.5 milionë banorë.

Votuesit skocezë mbështetën qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar në një referendum të vitit 2014 që u paraqit si një vendim që merret njëherë në një gjeneratë.

Partia SNP dëshiron që të mbahet një votim i ri, por Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur se Skocia nuk mundet ta organizojë këtë votim pa marrë miratimin e Londrës. Qeveria qendrore nuk ka autorizuar një referendum tjetër.

Largimi i zonjës Sturgeon shkaktoi mosmarrëveshje për të ardhmen e partisë SNP mes akuzave për rënien e anëtarësisë së partisë dhe ndasive për mënyrën se si duhet arritur pavarësia e Skocisë.

Anketimet e opinionit publik tregojnë se mbështetja për partinë ka rënë, megjithëse vazhdon të jetë partia më popullore në Skoci.

Një betejë e brendshme për ta zëvendësuar atë në drejtimin e partisë, rezultoi me debate mes kandidatëve për taktikat dhe trashëgiminë e zonjës Sturgeon, në veçanti rreth një projektligji të paraqitur prej saj që ua bënte njerëzve më të lehtë ndryshimin ligjërisht të gjinisë.

Ligji u përshëndet si thelbësor nga aktivistët e të drejtave transgjinore, por u përball me kundërshti nga disa anëtarë të partisë SNP që thanë se nuk mori parasysh nevojën për të mbrojtur hapësirat e rezervuara për gratë.

Ministri i Parë Humza Yousaf, i cili fitoi garën brenda partisë në mars, i tha kanalit BBC përpara arrestimit të zonjës Sturgeon se partia SNP ka “kaluar disa nga javët më të vështira me të cilat mund të jetë përballur ndonjëherë, të paktën në kohërat moderne”.

“E di se do të ketë njerëz, qoftë në opozitë, qoftë në media, të cilët nuk e marrin më në konsideratë SNP-në”, tha ai. “Ata do t’i përjetojnë pasojat”./VOA/

 

Të ngjashme