Kultura e leximit e në Kosovë vit pas viti po përkeqësohet

16:49 | 11 Qershor 2023
E.H

Përveç sistemit të dobët të arsimit shoqërisë kosovare i mungon edhe kultura e leximit e cila vit pas viti po përkeqësohet.

Në kohën kur Panairi i Librit është hapur në Prishtinë për të gjithë ata që e duan librin, qytetarët po vlerësojnë së në Kosovë sidomos të rinjtë po lexojnë shumë pak edhe përkundër që mundësitë i kanë shumë më të mira për të siguruar librat e tyre të preferuar.

“ Barazi më një zero të madhe. Shumë pak po lexohen librat, po e shoh prej familjes së ngushtë dhe të afërmeve, nuk lexojnë libra, vetëm me telefona. Unë e kam bibliotekën në shtëpi dhe kemi mjaft libra por se nuk po i lexon askush. Fatkeqësisht në Kosovë shumë pak po lexohet për arsye së fajet i kemi edhe në prindërit. Dhe pas zhvillimit të teknologjisë interesimi për lexim ka rënë edhe më shumë. Unë mendoj që jemi shumë mbrapa. Unë besoj që përpara është lexuar më shumë dhe çka kam vërejtur kohëve të fundit është së në Shqipëri ka pasur një kulturë të leximit por tash po shihet që edhe atje ka rënë”, thonë qytetarët.

Edhe për shkrimtarin për fëmijë, Xhahid Bushati, në Kosovë ka mungesë të kulturës së leximit dhe për këtë duhet angazhim me i madh i familjes ku secila familje e ka për detyrë të krijojë një bibliotekë për fëmijët.

“ Realisht kemi probleme më kulturën e leximit sepse shumë pak lexojmë. Edhe arsyeja është shumë e thjeshtë, duhet interesimi i prindërve, mësuesve, edukatorëve dhe i mjediseve. Na mungojnë libraritë, këndet e leximit dhe promovimet e fëmijëve. E ka obligim çdo familje ta bëjë nga një bibliotekë për fëmijët, sepse ky është elementi i parë i krijimit të kulturës së leximit”, ka thënë Bushati.

Edhe për përfaqësuesen e Shtëpisë Botuese “ Magjia e Librit”, Teuta Sinanaj,leximi nuk është në nivelin e duhur dhe se ka nevojë për më shumë organizime të panaireve në mënyrë që qytetarët të ndihen më afër librit.

“ Ka nevojë për më shumë organizime të tilla, e jo të organizohet vetëm një herë në vit një panair i librit. Është e nevojshme organizmi i më shumë edicioneve të tilla pasi po e rrit interesimin e fëmijëve dhe moshave të tjera për librin”, ka thënë Sinanaj.

Po ashtu edhe njohës të arsimit po vlerësojnë së një nga arsyet kryesore për mungesën e krijimit të shprehisë së leximit është sistemi i arsimor. Shpeshherë, programet mësimore në shkollat e Kosovës janë të orientuara drejt mësimdhënies, duke u fokusuar në mbushjen e kokës së nxënësve me informacione të caktuara. Kjo qasje e ngushtë e arsimit shpërfill rëndësinë e leximit të lirë dhe të krijuarit të mendimeve të veta. Si pasojë e mungesës së leximit dhe sistemit të dobët arsimor viteve të fundit, nxënësit e Kosovës në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare janë renditur ndër vendet e fundit./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme