Tri kushtet e të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi, nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit të ShBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dy kërkesat e kryeministrit Albin Kurti, dhe kërkesat e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e reja që janë paralajmëruar në katër Komunat e veriut, kanë vënë të ardhmen e Kosovës në udhëkryq.
Kryeministri Kurti nuk është duke lëshuar ‘pe’, ndërsa nga BE dhe ShBA po kërkohet që Kosova të tërhiqet, siç po cilësohet nga ndërkombëtarët “vendosja me dhunë e kryetarëve në objektet komunle”, ndërsa serbëve po u kërkohet që të marrin pjesë në zgjedhje.
Por, ndryshe po e shohin këtë telenovelë politike ligjvënësit kosovarë.
Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Jeta Statovci, tri kushtet e Lajçakut dhe Escobarit për kryeministrin Albin Kurti, i sheh që janë në linjë me kushtet që i ka edhe ekzekutivi kosovar por sipas saj, pala tjetër bëri të mundur bojkotin dhe krijimin e situatës që është aktualisht.
“Është bërë e qartë tashmë se kush janë eskaluesit e vërtetë, ata që shtien me armë në trupat e KFOR-it, që hodhën eksplozivë në kokat e tyre dhe që djegën vetura e sulmuan gazetarë. Besoj që këto kushte, të parashtruara nga diplomacia ndërkombëtare, janë në linjë edhe me kushtet tona, ne kemi qenë që në fillim për pjesëmarrje të serbëve në zgjedhje, dhe vazhdimisht kemi thënë që Marrëveshja e Ohrit duhet të respektohet. Pra zgjedhjet ne i kemi bërë të mundura, por pala tjetër bëri të mundur bojkotin, edhe bisedimet i kemi vazhduar, meqë jemi të përkushtuar për normalizim, zgjedhjet nuk janë problemi, bojkoti është”, ka thënë Statovci.
Ndërsa, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, tha se këto kushtet e vendosura nuk i shkojnë në interes nacional Kosovës.
Kurse për veprimet e kryeministrit Kurti në veri, thotë se është e kundërta e asaj siç po shihet si shtrim të sovranitetit atje.
“Tre kushtet dhe 8 pikat e BE-së, mendoj që gjithë kjo nuk ju shkon interesit nacional të Kosovës. Nëse dikush mendon se në veri të vendit zotëri Kurti me këtë qasje po fuqizon sovranitetin duhet ta dijë që është e kundërta, është duke e dorëzuar sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj për Arbresh.info.
Por, ku do të çojnë dy kërkesat e kryeministrit Kurti drejtuar ndërkombëtarëve për normalizim dhe qetësim të situatës janë burim që rrjedhin nga Kushtetuta dhe janë për secilin politikan dhe këtë sipas Statovcit po e kryen shefi i qeverisë.
“Do të ishte më precize nëse do të thoshim dy kërkesat që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës. Të kërkosh rend dhe ligj është obligim i secilit politikan, e lere më Kryeministrit. Pra Kryeministri Kurti po kryen detyrën e tij të përcaktuar nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Ne nuk mund të vazhdojmë përjetësisht që të mbyllim sytë krahas një zone, siç është Veriu i Kosovës, që ajo të jetë hapësirë pa ligj, pa kontroll, me tolerancë ndaj çdo grupi të dhunshëm që sa herë nuk pajtohet me diçka kap eksplozivë në duar dhe sulmon trupa paqeruajtëse apo Policinë e shtetit e gazetarët. Duhet përgjegjësi për secilin veprim të dhunshëm e kriminal”, ka thënë Statovci.
Për Hoxhajn këto kërkesa të Kurtit kanë edhe mbështetjen e tyre si parti opozitare, duke shtuar se nuk kanë dallime për shtrirje të sovranitetit, por ai thotë se kryeministri kosovar po dështon ku e ndërlidh çështjen e targave, pranimin e planit franko – gjerman që sipas tij është humbje e madhe për vendin dhe largimin nga tavolina njohjen reciproke që tashmë nuk është pjesë e marrëveshjes për normalizim.
“Kurti, e ka mbështetjen tonë të plotë për ta zgjeruar sovranitetin e Kosovës në veri të vendit, për të zbatuar ligjin në veri të vendit, por qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që ne nuk kemi dallime me zotrin Kurti në këtë temë, sa i takon zgjerimit të sovranitetit. Ne kemi problem se ajo po dështon, ai e kishte politikën e targave e cila u kthye bumerang për Kosovën, ai e kishte planin franko – gjerman i cili u kthye në humbje të madhe për Kosovën, se u largua nga tavolina njohja e ndërsjellët, ai organizojë zgjedhje lokale e cila është kthyer bumerang për Kosovën, se ata të cilët janë zgjedhur nuk po munden me u kthye në ndërtesat komunale, prandaj debati i tij për banditë në veri, për grupe të cilët janë milici fashiste për të cilët pajtohem është debat të cilin mund të apelon dikush me mendje e në zemër. Por, mendoj që duhet të sheh se si të koordinohet me partnerët tanë që ne ta ruajmë tërësinë territoriale që ta rikthejmë këtë pjesë të Kosovës”, tha Hoxhaj.
Por, ku mund të çoj qasja dhe menaxhimi i Kurtit ndaj situatës në veri, dhe cili do të jetë fati i Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, brenda territorit të Kosovës, apo e shkëmbyer me komunat e Luginës së Preshevë, apo çon në autonomi për serbët atje, Statovci e Hoxhaj, e shohin krejt ndryshe.
“Do të çoj aty ku çon Marrëveshja e Ohrit. Ne kemi shprehur gatishmërinë për ta nënshkruar këtë Marrëveshje, Serbia jo, është çështje tashmë e politikës ndërkombëtare dhe përgjegjshmërisë diplomatike. Idetë për shkëmbim territoresh janë ide feudale, nuk përkojnë me politikën evropiane. Po u nisëm nga këto parime, e tërë harta e Evropës do të duhej ndryshuar mbi baza etnike, janë ide të rrezikshme dhe nuk çojnë askund, siç nuk kanë çuar as në të kaluarën”, ka thënë deputetja e LVV-së.
Por, për Hoxhajn kjo po varet krejt prej asaj se ai i beson dialogut dhe unë mendoj që dilemën kryesore që është se qytetarët i besojnë zotëri Kurtit për dialog por zotëri Kurti nuk i beson vetës në dialog dhe nuk i beson dialogut dhe qëllimit që mund t’i ketë dialogu, dhe ky është një problem serioz sipas tij.
Kushtet e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet komunal në veri që mund të mbahen shumë shpejt, pasi ato të 23 prillit të këtij viti po quhen legale dhe legjitime, por jo funksionale, për deputetët Statovci e Hoxhaj, nuk duhet të merren serioze, sepse janë të ekzagjeruar.
Hoxhaj shton se kryeministri Kurti duhet të ketë kujdes sepse atje në veri të vendit po tentohet që mos të ketë shtet dhe mos të ketë institucione të Kosovës, që po orkestrohen nga Serbia e cila ka ambicie territoriale të kamotshme ndaj territorit të Kosovës dhe nuk i interesojnë qytetarët që jeton atje, apo funksionimi normal me ligje të Kosovës.
Ndryshe, që nga 26 maji, në tri komunat veriore Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, serbët kanë organizuar protesta. Kjo për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill, në objektet komunale.
Situata ishte tejet e tensionuar të hënën e 29 majit, kur pati edhe përleshje në mes të KFOR-it dhe protestuesve. Si rezultat i sulmit nga protestuesit serbë 30 ushtarë u lënduan, në mesin e tyre tre nga arma e zjarrit.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes për më shumë se një vit ka investuar për të marrë pjesë në ushtrimin ushtarak ‘Defender 23’.
Më 31 maj Kosova u përjashtua nga ushtrimi i “Defender Europe 2023”dhe për Prishtinën ushtrimi më i madh ushtarak ndërkombëtar, përfundoi aty.Kjo ishte bërë e ditur nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili kishte paralajmëruar edhe të tjera sanksione në rast të mos plotësimit të kërkesave të ndërkombëtarëve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i kanë bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, që të organizojnë zgjedhje të reja në këto komuna.
Përveç organizimit të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian dhe SHBA kanë kërkuar nga Kosova që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ndërkohë, nga zgjedhjet e fundit, kryetar në Mitrovicën e Veriut është zgjedhur Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Lulzim Hetemi në Leposaviq po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje, kurse nga Partia Demokratike e Kosovës, në Zubin Potok është zgjedhur Izmir Zeqiri, dhe në Zveçan Ilir Peci./Arbresh.info/Pleurat Salihu/
Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...
S’ka gola në Ferizaj
Hamza: Bashkatdhetarët në Köln u bashkuan me ne për ta bërë ...
Rama: Fitorja jonë në 2025 duhet të jetë përfundimtare, shpë...