Aktpadia me akuza për dokumentat e klasifikuara do t’i paraqitet ish-presidentit Donald Trump në një gjykatë federale në Florida.
Por një pjesë e mirë e mbështetjes për zotin Trump po bëhet 1500 km larg, në hollet e Kongresit, ku republikanët janë përgatitur prej muajsh për një kundërpërgjigje agresive kundër Departamentit të Drejtësisë.
Aktpadia federale kundër zotit e bërë publike të premten, përfshin 37 akuza, përfshirë pretendimet se ish-presidenti mbante qëllimisht dokumente të klasifikuara, ua tregonte vizitorëve, kundërshtoi në mënyrë të vetëdijshme kërkesat e Departamentit të Drejtësisë për t’i kthyer ato dhe bëri deklarata të rreme tek autoritetet federale për to.
Analistët: Aktpadia nxjerr në pah rolin aktiv të ish-presidentit Trump lidhur me dokumentat të klasifikuara.
Fushata e republikanëve për të diskredituar prokurorët federalë e anashkalon thelbin e akuzave, që u ngritën nga një juri e madhe në Florida.
Reagimet filluan pas orë pasi vetë ish-presidenti Donald Trump tha të enjten se prokurorët federalë kishin përgatitur aktpadi, republikanë me peshë në Uashington dhe gjetiu shfaqën solidaritet me të në mediat sociale duke denoncuar akuzat si abuzim me autoritetin nga ana e administratës së presidentit Joe Biden.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, aktualisht republikani më i fuqishëm në Uashington, denoncoi aktakuzën në një postim në Twitter të enjten vonë.
Zoti McCarthy e quajti “një padrejtësi të rëndë” paditjen e kandidatit kryesor për emërimin presidencial republikan dhe personin që ka më shumë gjasa të sfidojë zotin Biden në garën e tij për një mandat të dytë.
Edhe disa nga republikanët në garë me ish-presidentin për emërimin republikan, u shprehën kundër aktakuzës.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, i hodhi poshtë akuzat si një instrument nga ana e qeverisë për goditje politike.
Zoti McCarthy të enjten shkroi në Twitter:
“Sot është me të vërtetë një ditë e zezë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është e papranueshme që një president të padisë rivalin e tij kryesor. Joe Biden mbajti dokumente të klasifikuara për dekada të tëra.” Ai shtoi: “Unë dhe çdo amerikan që beson në sundimin e ligjit, qëndrojmë me Presidentin Trump kundër kësaj padrejtësie të rëndë. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve do të marrin masa ndaj këtij shpërdorimi politik të pacipë të pushtetit.”
Demokratët paralajmëruan menjëherë zotin McCarthy kundër përdorimit të Kongresit për të ndërhyrë në sistemin federal të drejtësisë.
Prokurorët federalë akuzojnë ish-presidentin Trump se vuri në rrezik sekrete kombëtare.
Disa nga mbështetësit më të zjarrtë të zotit Trump në Kongres sulmuan gjithashtu vendimin për të ngritur akuza ndaj tij.
Kongresmeni nga Florida, Matt Gaetz, shkroi në Twitter, “Kjo aktakuzë e rreme … kundër Presidentit Trump përbën ndërhyrjen më të rëndë në zgjedhje që kemi parë ndonjëherë nga ana e qeverisë federale!”
Anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve nga Xhorxha, Marjorie Taylor Greene sulmoi agjencitë e zbatimit të ligjit në Twitter për pjesëmarrjen në hetimin e ish-presidentit. “Është e turpshme. Vërtet patetike. Hipokrizia më e madhe në historinë moderne. Një dështim i plotë dhe total për popullin amerikan. Një njollë për kombin tonë që FBI dhe Departamenti i Drejtësisë janë kaq të korruptuara dhe as që e fshehin më.”
Ndikimi në fushatën presidenciale mes republikanëve
Disa nga republikanët që janë në garë përballë zotit Trump për emërimin republikan për zgjedhjet e vitit 2024 i kishin shtuar në mënyrë të matur kritikat ndaj ish-presidentit, të kujdesshëm që të mos bënin të pakënaqur bazës e rëndësishme të mbështetësve të tij brenda partisë.
Megjithatë, të enjten, shumë nga rivalët e zotit Trump dolën me shpejtësi në mbështetje të tij kundër qeverisë federale.
“Përdorimi politik agjencive federale të zbatimit të ligjit përbën një kërcënim vdekjeprurës për një shoqëri të lirë,” shkruante guvernatori DeSantis, aktualisht kundërshtari kryesor i zotit Trump.
“Kemi qenë dëshmitarë të një zbatimi në mënyrë të pabarabartë të ligjit në varësi të përkatësisë politike”, shprehej ai duke shtruar më pas pyetjen se pse këto organe ishin kaq të zellshme në ndjekjen e ish-presidentit Trump, por pasivë ndaj ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton ose djalit të presidentit Biden, Hunter Biden.
Zonja Clinton, ish-kandidate demokrate për presidente u hetua, por ndaj saj nuk u ngritën akuza për keqpërdorim të informacionit të klasifikuar, ndërsa Hunter Biden është aktualisht nën hetim federal.
Çfarë ndodh pas aktpadisë federale ndaj ish-presidentit Donald Trump
Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, e cila shërbeu si ambasadore në OKB në administratën e ish-presidentit Trump tha të premten:
“Drejtësia nuk duhet të zbatohet kështu në vendin tonë. Populli amerikan është lodhur nga tejkalimi i kompetencave nga prokurorët, standardet e dyfishta dhe politika e hakmarrjes”.
Në një intervistë në Fox News, senatori Tim Scott, gjithashtu një kandidat për emërimin republikan për president, i quajti akuzat kundër zotit Trump një “padrejtësi” dhe tha: “Ajo që kemi parë gjatë viteve të fundit është përdorimi politik i Departamentit të Drejtësisë kundër një ish-presidenti”.
Disa zëra republikanë dalin kundër rrymës
Disa republikanë ishin më të prirur t’i merrnin në konsideratë akuzat.
“Le të shohim se cilat janë faktet kur të dalë aktakuza,” tha ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie në Twitter përpara se aktakuza të bëhej publike.
Pas daljes së aktpadisë, në një intervistë për televizionin CNN ai e quajti sjelljen e ish-presidentit Trump “të papërgjegjshme” dhe “të gabuar nga kushdo që mund ta bënte por veçanërisht të tmerrshme për dikë që ka qenë president dhe aspiron të bëhet president përsëri”.
Ish-guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson lëshoi një deklaratë duke i bërë thirrje ish-presidentit të tërhiqej nga gara për emërimin republikan.
“Veprimet e Donald Trump-it – nga shpërfillja e tij e qëllimshme e Kushtetutës deri te mosrespektimi i sundimit të ligjit – nuk duhet të përkufizojnë vendin tonë apo Partinë Republikane”, tha zoti Hutchinson.
“Kjo është një ditë e trishtuar për vendin tonë”, tha ai duke shtuar se zoti Trump duhet t’i japë fund fushatës së tij.
Ish-nënpresidenti Mike Pence tha në një intervistë se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga vendimi për të akuzuar ish-presidentin, por shtoi menjëherë: “Më lejoni të jem shumë i qartë: askush nuk është mbi ligjin”./VOA/
Moti në Shqipëri me shi dhe shtërngata
Specialja sot urdhëron për zhdëmtimin e viktimave në rastin ...
Çitaku thërret konferencë për media
Sot bëhet përurimi i Parkut të Ulpianës, merr pjesë Rama
Kurti merr pjesë në vënien e gurthemelit të tri projekteve n...
Moti sot i vranët dhe me shi